Panairi i Punësimit - Foto: KALLXO.com

Të Rinjtë Pak Optimistë rreth Punësimit

Mbi 1,000 vende të lira pune janë prezantuar nga kompani vendore dhe nga Gjermania, Austria e Zvicra, pronarë të të cilave janë shqiptarët e Kosovës bashkë me shtetas të këtyre vendeve evropiane.

Ky prezantim u bë në hapje të Panairit të Punës, në kuadër të aktivitetit “Diaspora, investimet dhe Punësimi”.

Me këtë rast, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se heronjtë e vërtetë në Kosovë janë punëmarrësit dhe se ky panair është mundësi për punëkërkuesit.

“Perspektiva për zhvillim e Kosovës është pozitive. Këtë e vërejta edhe tek investitorët që kanë ardhur të investojnë në këtë panair”, tha Abrashi.

Hykmete Bajrami, ministrja për Tregti dhe Industri theksoi se kjo ngjarje është mjaft e rëndësishme dhe se Qeveria është e angazhuar që të krijojë në vazhdimësi lehtësira të të bërit biznes.

“Kjo është ngjarja më e mirë për të gjithë të rinjtë të cilët kanë ardhur që t’i shohin mundësitë e punësimit. Ne si qeveritarë na mbetet që t’i bëjmë detyrat tona në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe në mbrojtjen e rendit dhe ligjit”, u shpreh Bajrami.

Edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se Gjermania vazhdon të mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës dhe investitori më i madh për vendin tonë.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi tha se kontributi i kompanive gjermane në këtë panair është i madh dhe ai beson se këto vende pune do të jenë të qëndrueshme.

Në shpalosjen e ofertave për punësimin e të rinjve kosovarë interesimi i tyre për të aplikuar për punë ishte i madh. Megjithatë, ata nuk janë shumë optimistë se do të gjejnë një vend pune.

Punesimi 002

Muhamet Mexhuani, një i ri që po kërkonte punë në këtë panair, për KALLXO.com tha se i gjithë ky investim në këtë panair dhe ofrimi i këtyre vendeve të punës beson se mbi 70 për qind do të realizohen ashtu siç janë paraparë.

“Unë personalisht kam aplikuar me një kompani gjermane si kontabilist dhe me një kompani kosovare si punëtor fizik dhe shpresojmë se mund të punësohem në njërën nga këto kompani”, thotë Mexhuani.

Për dallim nga Mexhauni, i cili shpreson që mund të punësohet, Hana Dula, e diplomuar në nivelin master si inxhiniere e kimisë analitike dhe mbrojtje e mjedisit, thotë për KALLXO.com se nuk po mundet të gjejë punë në fushën e saj, pasi sipas saj në këtë panair nuk po ofrohet diçka e tillë.

“Kam dëgjuar për këtë panair, erdhëm të kërkojmë punë, besojmë se do ta gjejmë, por siç po duket një punë e tillë se çfarë jam e diplomuar nuk po ofrohet në panair”, shprehet Dula.

Punesimi 003

Ka edhe kompani që thonë se kanë probleme në gjetjen e njerëzve të duhur për pozitat që ata i kërkojnë dhe mungon interesi i femrave që të punojnë në sektorin e teknologjisë, veçanërisht si programere.

Sherif Krasniqi, pronar i kompanisë ‘Blic Solution’, e cila ofron shërbime për ‘call-center’ dhe programim në tregun gjermanofolës për KALLXO.com thotë se shpesh po has në vështirësi për gjetjen e njerëzve që janë të përshtatshëm për specifikat e vendeve të punës.

“Ju sugjeroj të rinjve që të orientohen kah gjuhët dhe kah zhvillimi i softuerit, sepse ajo është e ardhmja e tyre ku munden ta gjejnë një vend të sigurt të punës me pagë mbi mesataren e pagave në Kosovë”, porosit Krasniqi.

Punesimi 004

Doni Behrami, përfaqësues nga kompania “Adaptivit”, e cila ofron shërbime të teknologjisë, thotë se aplikimi i femrave për të punuar në sektorin e teknologjisë, veçanërisht në programim, është shumë i ulët.

“Interesimi i femrave është shumë i ulët në fushën e teknologjisë. Mund të themi se deri më tani kanë shprehur interesim vetëm 15 për qind e tyre”, thotë Behrami.

Në këtë panair Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale po ofron programe që kanë të bëjnë me politikat aktive të punës.

Punesimi 005

 

Ky organizim është bërë nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK) dhe në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Është dita e dytë në kuadër e aktiviteteve të diasporës kosovare.

Dje është mbajtur konferenca për këtë aktivitet dhe u tha se për zhvillimin e vendit nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet.

http://kallxo.com/diaspora-e-rendesise-se-vecante-per-investime

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në shtator të vitit 2015 diaspora jonë ka dërguar 566 milionë euro në vend, apo 60 milionë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

http://kallxo.com/566-milione-euro-nga-mergimtaret-ne-2015-en

Zvicra për periudhën janar-nëntor 2015 në kuadër të investimeve të huaja direkte në Kosovë ka investuar 70.3 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 29 milionë euro dhe Austria me 28.1 milionë euro.

Ndërsa, në kuadër të aktiviteteve të Qeverisë për përvjetorin e tetë të pavarësimit të Kosovës ishte organizuar Panairi i Punësimit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermane dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë të cilat u prezantuan 500 vende pune.

Punesimi 006

Nga publikimi i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi statistikat e përgjithshme për tremujorin e parë të këtij viti kanë kërkuar punë 127,378 të papunë, prej të cilëve 6,452 kanë kualifikim themelor universitar, 299 janë me kualifikim master dhe dy doktorë shkence.

Gjithashtu, sipas kësaj Agjencie, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë për vitin 2015 ka arritur në 32.9 për qind.

http://kallxo.com/ask-papunesia-ne-kosove-eshte-32-9-per-qind

Organizatorët thonë se me anë të këtij panairi synohet të zbutet sadopak papunësia në vend.