Foto: UNDP

Të rinjtë kosovarë janë pesimistë për të ardhmen e tyre në Kosovë

UNDP ka publikuar gjatë muajit gusht të këtij vitit, analizën e pulsit publik me temën “Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë” që ndërlidhet veçanërisht me të rinjtë në vend.

Përmes këtij hulumtimi janë identifikuar qëndrimet dhe pritjet e rinisë lidhur me kënaqshmërinë e përgjithshme me situatën në Kosovë. Në këtë hulumtim janë përfshirë gjithsej 452 të rinj, ku 49.9 për qind ishin femra dhe 51.1 për qind meshkuj të moshës mesatare 22 vjeç.

Temat në të cilat janë ndarë rezultatet kanë të bëjnë me perceptimet e të rinjve për perspektivën e Kosovës, migrimin, interesat e të rinjve në arsim, punësimin e tyre, perceptimet e të rinjve në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike, të rinjtë që praktikojnë fenë, perceptimet e tyre mbi përhapjen e ekstremizmit dhe perceptimet e tyre në lidhje me sigurinë.

Rezultatet tregojnë se 48 për qind e të anketuarve janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës, sidomos të anketuarit meshkuj të cilët në përqindje arrijnë deri në 52 për qind. Si sfidën kryesore ndaj perspektivës së tyre në Kosovë, shumica apo 60 për qind e të anketuarve konsiderojnë mungesën e mundësive për punësim, 49.3 për qind varfërinë, ndërsa 43 për qind nepotizmin dhe korrupsionin.

Nga ana tjetër, të anketuarit nga grupmosha 25 deri në 35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.

Pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në 3 vitet e ardhshme. Të anketuarit shqiptarë, serbë, goranë, boshnjakë dhe egjiptas të Kosovës, e quajtën mungesën e mundësive për punësim në Kosovë si arsye kryesore për emigrim, ndërsa të anketuarit turq dhe ashkali të Kosovës përmendën situatën e pafavorshme ekonomike.

Pothuajse 75 për qind e të anketuarve janë shumë të kënaqur ose disi të kënaqur me arsimin që kanë marrë ose marrin. Megjithatë, 25 për qind e tyre konsiderojnë se arsimi i tyre nuk është i dobishëm për të gjetur punë. 38 për qind e tyre thonë se mungesa e profesionalizmit nga mësimdhënësit dhe profesorët është pengesa kryesore në sistemin arsimor, e ndjekur me 28.5 për qind nga infrastruktura e dobët shkollore dhe 28 për qind nga cilësia e ulët e kurrikulës.

Rezultatet tregojnë se 69 për qind e të anketuarve romë të Kosovës nuk i ndjekin shkollat apo universitetet. Statusi i punësimit është një tjetër çështje shqetësuese sepse 56 për qind e femrave dhe 40 për qind e meshkujve të anketuar janë të papunë.

Sipas këtij raporti, vetëm 45 për qind e të anketuarve më të rinj të moshës 18 deri në 24 vjeç, në krahasim me 59 për qind të të anketuarve më të vjetër të moshës 25 deri në 35 vjeç, aktualisht janë të punësuar.

Pothuajse të gjithë të anketuarit konfirmuan se marrin mbështetje financiare, ku 55 për qind e tyre deklaruan se marrin mbështetje financiare nga prindërit dhe 46 për qind nga anëtarët e tjerë të familjes. 43 për qind e të anketuarit shpjeguan se mungesa e vendeve të punës, 42 për qind thanë se korrupsioni dhe 41 për qind e tyre deklaruan se mungesa e kualifikimeve profesionale po e vështirësojnë gjetjen e një pune në Kosovë.

Mirëpo, bashkë me nivelin e lartë të papunësisë, edhe niveli i pesimizmit është i lartë sepse vetëm 22.3 për qind e të anketuarve kanë “shumë besim” ose “njëfarë besimi” se do të gjejnë punë brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Ndërkaq, sa i përket ekstremizmit, 64 për qind e të anketuarve konsiderojnë se ekstremizmi politik është më i pranishëm, ndërsa 55 për qind thonë se ai është i ndjekur nga ekstremizmi nacionalist dhe  54 për qind e tyre deklarojnë se është i përcjellë edhe me ekstremizmin fetar.

Përkundër përhapjes së lartë të ekstremizmit të perceptuar nga të rinjtë, shumica ende konsiderojnë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme.