Të Rinjtë Kërkojnë Përkrahje nga Qeveria

Në një takim të mbajtur në mes Kryeministrit Isa Mustafa dhe Këshillit Qendror për Veprim Rinor, u shprehën shumë kërkesa nga ana e këtyre të fundit si dhe probleme që të rinjtë e Kosovës hasin çdo ditë.

Vesa Ibrahimi, përfaqësuese e Këshillit Qendror për Veprim Rinor, tha se ky këshill ka kërkuar nga Kryeministri që të ndahen buxhet nga Qeveria për këshillat rinore në nivel lokal, si dhe buxhet dhe qëndrueshmëri më të madhe për atë qendror.

“Ne kërkuam edhe praktikë më të madhe, pasi që ne po e dimë se çdo herë po kërkohet përvojë pune dhe nuk po kemi hapësirë me e bë këtë përvojë të punës, me pas hapësirë me e bo këtë praktikë edhe në qeveri dhe me e pa se si bëhet politika edhe nga brenda dhe jo vetëm nga televizioni,” tha Ibrahimi.

Ndërsa Mustafa tha se pritet që për këto kërkesa të bëhen takime edhe në komuna dhe të kërkohet nga to që të parashohin buxhetet në harmoni me programet që ata kanë,  si dhe do ju ofrohet ndihmë edhe përmes ministrive përkatëse.

“Do ju sugjerojmë të gjitha ministrive që ata të hapin mundësi për kryerjen e praktikës së të rinjve, ose përmes këtij këshilli ose drejtpërdrejt përmes Universitetit, por kryesore është që të hapen mundësi,” tha Mustafa.

Vesa Ibrahimi në emër të këshillit përkrahje nga qeveria kishte kërkuar edhe më 12 gusht 2015 në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

http://kallxo.com/mustafa-deshiron-qe-rinia-te-kete-kerkesa-per-qeverine/