FOTO ARKIV: Aksioni i Forumit Rinor të LDK-së | Foto: KALLXO.com

Të Rinjtë e LDK-së Kërkojnë Dalje nga Izolimi

Forumi Rinor i LDK-së në një aktivitet të zhvilluar me moton “Mos na Leni Mshelë” synoi sensibilizimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për nevojën e lëvizjes pa viza në Zonën Shengen të qytetarëve të Kosovës.

Kryetari i këtij forumi Fidan Rekaliu kërkoi nga deputetët e Kosovës që ta mundësojnë liberalizimin e vizave.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që t’u drejtohemi institucioneve vendore e në veçanti Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputeteve të Republikës së Kosovës me qëllim që t’i lënë interesat e veta personale dhe t’i qesin përpara interesat e përgjithshme te vendit që të na mundësojnë neve te rinjve të Kosovës që të lëvizim lirshëm në Bashkimin Europian”, tha Rekaliu.

Gjatë aktivitetit të tyre anëtarët e këtij forumi vendosën përballë Kuvendit karrige që simbolizonin numrin e deputetëve, të cilat i rrethuan me një shirit me ngjyrat e flamurit të BE-së ku shkruante “Ndalohet Hyrja pa Viza”.

Në secilën karrige ishte e shkruar fjalia “Shteti është më i Rëndësishëm se Pushteti”.

Në fund të aktivitetit, duke qenë se ndodheshin në Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe pranë shtatores së ish-Presidentit, të rinjtë e LDK-së nuk e humbën rastin për të bërë fotografi të përbashkëta aty.

rugova

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015, është njëri nga dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash për kosovarët.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri