Të rejat e 'Hardh Fest' për këtë vit

Me datat 16, 17 dhe 18 gusht, nën moton “Një gotë për mote”  fillon “Hardh Fest” në Komunën e Rahovecit.

Në një konferencë të mbajtur sot nga organizatorët e këtij festivali, janë dhënë detaje në lidhje me pjesëmarrësit dhe aktivitetet që do të zhvillohen në këtë festival.

Gardalin Shtavica, drejtor artistik i këtij festivali ka prezantuar emrat e këngëtarëve dhe grupeve muzikore të cilët do të përformojnë në këtë festival.

“Siç e dini edhe ju specifikë e “Hardh Fest” është që të bëhet promovimi i verës dhe rrushit, por edhe promovimi i muzikës. Sikurse çdo vit tjetër, edhe këtë vit kemi përgatitur një organizim mjaftë të veçantë, ku do të marrin pjesë grupet 3 Musketjerët, The Moog, Votra, 4X4, Rahoveci All Stars”, ka treguar Shtavica.

Ai tutje ka bërë të ditur se pjesë e “Hardh Fest” do të jenë edhe DJ, por që specifikë e tyre është sepse shumica prej tyre do të jenë femra.

“Do të marrim pjesë Jehona, Amer Doux, ANA Mali, Dj Fisnik Kuqi, Mike B, dhe Dj Lori”, ka treguar Shtavica.

Ndërsa, Nora Boshnjaku, përfaqësuese nga Komuna e Rahovecit në këtë konferencë ka folur për buxhetin e ndarë nga Komuna e Rahovecit për këtë festival.

“Festivali mbahet nën patronatin e Komunës së Rahovecit. Komuna ka ndarë 15 mijë euro për këtë festival, fonde këto të cilat janë siguruar nga Kodi i Subvencioneve në Bujqësi”, ka thënë Boshnjaku.

Dea Luma, zyrtare për marrëdhënie me publikun, ka thënë në këtë konferencë se në kuadër të “Hardh Fest” përveç muzikës do të ketë edhe aktivitete të tjera të cilat këtë vit do të zhvillohen për herë të parë.

“Aktivitetet secilin vit shtohen, sivjet” Hardh Fest” do të hapet me prerjen e kalaveshit të rrushit, po ashtu e kemi demonstrimin e përgatitjes së rakisë. Risi këtë vit është gara për të mirë më shumë raki, ku kanë të drejtë të gjithë persona mbi moshën 18 vjeçare të marrin pjesë në këtë garë”, ka treguar Luma.