Të premten në Teatrin ‘AAB Fahruk Begolli’ jepet premiera e shfaqjes ‘Artisti i vetëm’
Premiera e shfaqjes ‘Artisti i vetëm’ me tekst të Ralph Hammerthaler dhe regji të Naim Berishës do të jepet më 2 nëntor 2018, në ora 18:00 në Teatrin e Kolegjit “AAB Fahruk Begolli” në Prishtinë.
Kjo shfaqje trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t`u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kultminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen.
Në fund të shfaqjes Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.
Shfaqja në mesazhin e saj, bën thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës. Në shfaqje luan Naim Berisha.