Fatmir Limaj jep fjalën përfundimtare në gjykimin e tij për krime lufte - Foto: KALLXO.com

Të Premten Aktgjykimi ndaj Fatmir Limajt për Rastin Bellanica

Dënim për përgjegjësi komanduese për të akuzuarin Fatmir Limaj ka kërkuar prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari në fjalën e saj përfundimtare në gjykimin për krime lufte në rastin e vrasjes së dy civilëve më 1998 në Bellanicë të Malishevës.

“Prokuroria konsideron se përgjegjësia e të akuzuarit Fatmir Limaj konsiston në përgjegjësinë e tij komanduese në raport me veprën penale – vrasjen e dy civilëve Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi me datën 2 tetor 1998 në kohën e luftës në Kosovë.”, tha prokurorja speciale.

Sipas prokurores Drita Hajdari, “përceptimi i gjithë fshatit dhe rrethinës ishte që Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin i vranë pjesëtarët e UÇK-së. Këtë çështje ata e ngritën para Naim Malokut në takimin e mbajtur pasi krimi kishte ndodhur. Mirëpo, siç doli, Naim Maloku tregoj një indiferencë totale për krimin i cili ishte i njohur në atë takim”.

Në një këndvështrim më të gjerë, prokurorja tha se drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë mbrojtur luftën gjatë këtij gjykimi.

“ Në këtë gjykatore, këta eprorë të lartë ushtarakë patën mundësinë që t’i kontribuojnë drejtësisë dhe të mbrojnë imazhin e UÇK-së, mirëpo për fat të keq një gjë e tillë nuk ndodhi”, tha prokurorja në fjalën e saj përfundimtare.

http://kallxo.com/prokurorja-kerkon-denimin-e-fatmir-limajt/

Në seancën e sotme nuk ishte e pranishme familja e Ramiz Hoxhës, njërit prej dy viktimave për të cilët akuzohet Limaj.

Ndërsa, Nuhiu, vëllai i viktimës tjetër, Selman Binishit, foli rreth të kaluarës së vëllait.

“Unë dhe vëllai im kur kemi qenë në shkollë të mesme, në atë kohë e ka shkyer flamurin jugosllav dhe drejtoria e shkollës pasi kishte kuptuar që këtë veprim e kishte bërë vëllai im i ndjerë, atë e kishin përiashtuar nga shkolla”, tha Nuhi Binishi, duke treguar për veprimtarinë e tij dhe të vëllait në vitet ’80.

Po ashtu, Nuhi Binishi tha se vëllai i tij kishte marrë pjesë në betejën e Rahovecit në verën e vitit 1998 si pjesëtar i UÇK-së.

Ndërsa, Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt, tha se në këtë gjykim është vërtetuar pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se gjykimi ka vërtetuar se Ramiz Hoxha e Selman Binishi nuk janë vrarë si tradhtarë.

http://kallxo.com/avokati-ramiz-hoxha-e-selman-binishi-nuk-u-vrane-si-tradhtare/

“Ky shqyrtim gjyqësor përveç që ka vërtetuar pafajësinë e z. Limaj, po ashtu ka vërtetuar edhe një fakt shumë të rëndësishëm për familjet e dëmtuara, se Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi nuk janë vrarë si kolaboracionistë dhe tradhtarë të kombit”, tha avokati Rrecaj në fjalën përfundimtare.

Rrecaj më tutje tregoi se pllakën përkujtimore për Selman Binishin e ka zbuluar Fatmir Limaj.

“Një rrugë në fshatin e tyre e mban emrin e Selman Binishit dhe në pllakën përkujtimore në qytetin e Malishevës figuron edhe emri i Selman Binishit ku me rastin e përurimit e ka zbuluar Fatmir Limaj”, tha Rrecaj.

Avokati konstatoi se askush nga dëshmitarët, përveç njërit prej tyre, nuk ka thënë se kidnapuesit e Binishit dhe Hoxhës kishin shenja të UÇK-së.

“Prokuroria e tha një fakt jo të vërtete, duke i lidhur ata persona me UÇK, duke thënë se të gjithë dëshmitarët e rastit kanë thënë që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së. Përpos dëshmitarit Enver Hoxha i cili nuk ka qenë dëshmitar okular, nuk kanë konfirmuar që 4 personat e maskuar kanë pasur shenja të identifikimit të UÇK, emblema apo diçka të ngjashme”, tha Rrecaj.

Gjithashtu, avokati tha se prokurorja ka selektuar provat duke zgjedhur provat të cilat beson se shkojnë në favor të akuzës.

Kjo është në kundërshtim me parimin e gjykimit të drejtë dhe në kundërshtim me misionin e kësaj prokurorie, tha Rrecaj gjatë fjalës përfundimtare, të cilën e ka dorëzuar me shkrim.

Ndërsa, vetë i akuzuari, Fatmir Limaj, në fjalën përfundimtare tha se nuk ka të bëjë fare me këto dy vrasje.

http://kallxo.com/limaj-shpreh-keqardhje-per-vrasjet-ne-bellanice/

“Është e habitshme se si e shpjegoni teorinë e përgjegjësisë komanduese, thelbi dhe doktrina e përgjegjësisë komanduese është raporti i vartësit me eprorin”, tha Fatmir Limaj.

Limaj e cilësoi “të paqartë” akuzën që i vihet në barrë.

“Kjo thotë për përgjegjësi komanduese. Për kënd? Për do njerëz. E kush janë ata njerëz? Nuk e dimë. E kush janë ata vrasës? Nuk e dimë. E ku janë ata njerëz? Nuk e dimë. A ka urdhër? Jo, nuk ka urdhër. E kush e bëri? Nuk e dimë kush e bëri. E kush e urdhëroi? Jo, nuk e dimë kush e urdhëroi. E qysh përgjegjësia është e tij?”, tha Limaj.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten.