A do të Pranohen Rezultatet Përfundimtare nga Partitë Politike

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ këtë herë diskutoi për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe dhe çështjet që kanë mbetur ende të hapura nga ky proces.

I pyetur se a do të pranohen rezultatet përfundimtare përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Leci, tha se janë brenda afateve ligjore për paraqitjen e ankesave në PZAP dhe në organet e tjera kompetente për zgjedhjet dhe balotazhin.

“Jemi me LDK-në në kontest se cili po del i pari prej partive shqiptare. Ne jemi ende në suaza normale të procesimit të zgjedhjeve edhe ankesat që janë duke u bërë në PZAP dhe në institucione të tjera. Me përjashtim të deklaratave politike të cilët po dojnë me fitu me deklarata politike, ajo çka ka vendos qytetari në ditën e zgjedhjeve ajo është e vendosur. Ende nuk është vendosur për rinumërim ne jemi dëshmitar që edhe në vendimet e tjera në gjykatën Supreme.. Deri të hënën gjykata duhet të merr vendim. AAK do të pranoj çfarëdo që të jetë vendimi. Nuk e di se kur duhet shkuar në zgjedhje por e di që nuk është mirë me i dërgu qytetarët e Istogut edhe niher në rivotim”, tha Leci.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk e kanë humbur Prizrenin siç u quajt “Jerusalemi”, por shtoi se kanë dërguar në PZAP prova për keqpërdorime të votave.

“Nuk besoj që e kemi hupë Jerusalemin. Ne sot e kemi mbajt një press konferencë që i kemi dëshmu provat që ka pasur keqpërdorime. Ne jemi të bindur që provat e dërguara në PZAP me ato deklarata dhe incizime, jemi të bindur se e gjithë kjo do aprovohet nga PZAP”, tha Tahiri.

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, tha se do të respektojnë vendimet e organeve të pavarura.

“Po ne obligohemi dhe do të veprojmë sipas ashtu siç thotë edhe neni. Faza të cilën jemi tash s’ka asgjë me këtë nen sepse flitet për përmbylljen e procesit. Mekanizmat ligjor që na i mundëson ligji  bashkë me shkeljet e evidentuara dhe ne do ti shfrytëzojmë deri në pikën e fundit, në finale ne gjithsesi do ti respektojmë vendimet e organeve të pavarura dhe vendimet që nuk vijnë nga kërcënimet”, tha Dushi.