Slavko Çuruvija, gazetar serb i vrarë në vitin 1999 në Beograd

Të pandehurit për vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija mohojnë provën inkriminuese

Ish-zyrtarët e sigurimit serb të shtetit të akuzuar për vrasjen në vitin 1999 të gazetarit opozitar Slavko Çuruvija refuzuan provën që dyshohet se i vendos ata në skenën e krimit.

Në një seancë para Gjykatës së Lartë të Beogradit të premten, ish-oficerët e sigurimit të shtetit serb Milan Radonjiq dhe Ratko Romiq hodhën poshtë provat inkriminuese lidhur me komunikimet e tyre para vrasjes së Slavko Çuruvijës.

Radonjiq tha se ai kurrë nuk komunikoi me telefon me Milan Kurakun, i cili sipas aktakuzës ishte autori i drejtpërdrejtë i vrasjes së gazetarit të opozitës.

“E kam parë atë njeri jo më shumë se dhjetë herë dhe shkëmbyem vetëm përshëndetje,” tha Radonjiq në gjykatë.

Romiq gjithashtu hodhi poshtë disa nga provat, duke mohuar të ketë kontaktuar me Marko Zharkoviqin, një dëshmitar në këtë rast, dy ditë para vrasjes së Çuruvijës më 11 prill 1999.

“Kontaktet me Radonjiqin dhe Kurakun ishin të përditshme dhe nuk ishte diçka e pazakontë që ne të mbanim kontakt,” tha Romiq.

Prova në lidhje me komunikimet me celular në rastin e vrasjes së Slavko Çuruvijës u pranua nga Gjykata e Lartë në korrik, pasi gjykata e apelit vendosi se ajo ishte përftuar në mënyrë të ligjshme.

Gjyqi për vrasjen e Çuruvijës u hap në vitin 2015, 16 vjet pasi ai u qëllua për vdekje. Dyshohet se ai u vra për shkak të qëndrimit të tij opozitar ndaj presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.

Sipas aktakuzës, një ‘”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tri ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator të vitit të kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.