Të Paktën 230 të Vdekur në një Sulm Terrorist në Mogadishu

Së paku 230 persona e humbën jetën, ndërsa mbi 200 janë lënduar në sulmin më të madh vetëvrasës me bombë në qendër të kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu, njoftuan burime policore dhe spitalore.

“Ishte një kamion-bombë. Shpërtheu në udhëkryqin K5″, deklaroi polici Muhamed Husein, i cili konfirmoi se një numër i madh i të lënduarve janë shtrirë në spital.

Mjekët bëjnë përpjekje t’u ndihmojnë qindra të lënduarve, nga të cilët shumica ndodhen në gjendje kritike.

Sipas dëshmitarëve okularë, numri më i madh i viktimave janë civilë.

Gjatë shpërthimit janë shkatërruar dhjetëra autobusë të transportit publik dhe rreth 100 automjete.

Është shkaktuar dëm i madh material edhe në ndërtesat përreth.

Prefekti i Mogadishut, Saabid Abdi, i cili e vizitoi vendin e sulmit, kërkoi të angazhohen më shumë buldozerë të cilët do t’i nxjerrin viktimat nga rrënojat.

Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullah u është bashkangjitur mijëra personave, të cilët nëpër spitale kanë dhënë gjak që t’u ndihmojnë të lënduarve.

Ministri somalez i Informatave, Abdurahman Jarisou e dënoi “sulmin e tmerrshëm të terroristëve”, duke e akuzuar për atë grupin ekstremist Al Shabab.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por grupi “Al Shabab” shpesh kryen sulme me bombë në Somali. /21Media