Vendi ku ndodhi plagosja e katërfishtë në Pejë. Foto: Kallxo.com

Të Miturit Dëshmojnë në Gjykatë për Rastin Ku Mbetën të Plagosur

Dy të miturit,B.R. dhe G.L. kanë dëshmuar sot në gjykimin për rastin e vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë që ndodhi në qershor në qytetin e Pejës.

Për këtë rast, në të cilin mbetën katër të plagosur, përfshirë dy dëshmitarët që ishin kalimtarë rasti, akuzohen Gëzim, Rrezon e Rrethim Hoxha.

15 vjeçarja B.R. dëshmoi në Gjykatën e Pejës momentet e plagosjes nga të shtënat me armë zjarri.

Dëshmitarja tha se atë ditë e kishte semi-maturën dhe kishte dalë në qytet bashkë me motrën dhe shoqen e saj për t’i blerë disa gjëra për mbrëmjen.

Teksa ishte duke kaluar afër lokalit “King’s”, që gjendet afër “Urës së Zallit”,ato kishin dëgjuar të shtëna të armëve.

“Kam qenë duke shkuar në Korzë me motrën dhe një shoqe, në krahun e majtë të rrugës dhe atë moment kanë fillu me gjuajtë me armë. Një burrë dhe një grua na kanë largu në anën tjetër të rrugës pas një kerri. Nuk më kujtohet sa kanë zgjatë krismat. Unë nuk e kam vërejtur se jam plagos sepse mendoja ku e kam motrën”, tha dëshmitarja duke rrëfyer për rastin që ka ndodhur më 7 qershor.

Më tej, ajo tregoi se si pronarët e një lokali i kishin ndihmuar dhe e kishin dërguar në Spital.

“Punëtorë të qebaptores “Buqja” me kanë jep ujë edhe më kanë dërguar në spital”, tha e mitura.

Nga plumbat që kishin ardhur nga lokali “Brigde 2”, ajo tha se ishte plagosur në këmbën e majtë.

Kurse i akuzuari, Gëzim Hoxha, i kërkoi falje 15-vjeçares për plagët e marra atë ditë dhe tha se ndjen keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur.

Për shkak të moshës 12-vjeçari kursehet nga dëshmia

Edhe 12 vjeçari, G.L, i plagosur si kalimtar rasti nga të shtënat e armëve me 7 qershor të këtij viti, erdhi për të dëshmuar para trupit gjykues.

Mirëpo, në emër të tre avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, Florent Latifi propozoi që i mituri të mos japë dëshmi për shkak të moshës së tij.

“Për shkak të moshës se re, mbrojtja propozon që G.L. mos të dëshmoj fare, por vetëm të lexohet deklarata e tij e dhënë në polici”, tha avokati Latifi.

Me ketë propozim u pajtuan të gjitha palët në procedurë, kurse trupi gjykues mori aktvendim që të lexohet deklarata e dhënë e 12-vjeçarit para hetuesve policorë me autorizim të Prokurorisë.

Gjatë seancë se sotme, ka dëshmuar edhe i moshuari Haxhi Hoxha, babai i të akuzuarit Gëzim, dhe gjysh i dy të akuzuarve tjerë, Rrezon e Rrethim Hoxhës.

84-vjeçari dëshmon në gjykimin e djalit dhe nipave

84-vjeçari para trupit gjykues tregoi për incidentin e ndodhur mes familjarëve të tij me dy vëllezërit Kastrati.

Ai tha se rreth mesditës kishte pranuar një telefonatë nga i biri i tij, Gëzimi, për disa thirrje që kishte pasur nga vëllezërit Nexhdet e Bekim Kastrati.

“Gëzimi me tha së djemtë e Beqir Kastratit çdo 10 minuta po e thërrasin në telefon dhe nuk po e lënë rahat. Ai më tha se donë me shku në Pejë dhe kish me qenë mirë me shku edhe unë me ta se jam ma i moshuar e mund të merrem vesh me ta”, tha Haxhi Hoxha.

I moshuari tregoi se bashkë me djalin dhe nipat e tij ishin nisur drejt Pejës nga Prishtina në lokalin e tyre “Brigde 2”.

“Rrugës i kam këshilluar nipat edhe djalin, rrini ju mos u ulni me ta se mos po fjaloseni. Unë dua të merrem vesh me ta”, tha ai.

Kur kishin mbërritur në Pejë, plaku 84-vjeçar tha së fillimisht ishin takuar me qiramarrësin e lokalit në një tavolinë për të biseduar rreth problemeve që kishin shfaqur vëllezërit Kastrati në lokal.

“Jemi ulë në qoshe të lokalit në një tavolinë në tarracë, unë, qiramarrësi, Gëzimi dhe Rrezoni. S’kanë kalu as 2-3 minuta u ardh Bekimi u ulë në tavolinë. E kam lut Bekimin a don me pi diçka më ka thanë jo. Më tha: a don me ndez një cigare, i thash: jo. I thash: çka është problemi. Më ka thanë: Mos mi ço duart se ta shti…. në gojë. Tepër fjalë ofenduese. S’po mund t’i them këtu”, tha dëshmitari Haxhi Hoxha.

Gjatë dëshmisë se tij, i moshuari tha se Bekim Kastrati me fjalor të njëjtë ofendues iu kishte drejtuar edhe djalit dhe nipit të tij.

http://kallxo.com/kater-te-arrestuar-per-plagosjet-ne-peje/

Ai tregoi kur te tavolina kishte ardhur edhe vëllai i Bekimit, Nexhdet Kastrati.

Pasi kishte filluar të bisedojë me të, ai tha së sërish Bekimi e kishte ofenduar me të njëjtin fjalor. Me pas 84 vjeçari tregoi edhe për momentet kur kishin filluar të shtënat e armëve.

“Ato momente u çu Gëzimi, i tha ti nuk mundesh me na tutë. Nuk e di kur është çu Gëzimi, po ata janë çu janë nis në drejtim të Rrezonit. Aty Rrezoni e ka nxjerr revolen. Dikur e kam pa Gëzimin me Kallashnikov në dorë edhe ka fillu me gjuajt në tokë. Ata kanë fillu me ikë. Gëzimi me dy djemtë janë nis me shku në kerr edhe me thanë: çu babë. Ju thashë s’du mu çu qetu du me nejtë, me kanë kap për krahu e jemi hyp n’kerr”, tha dëshmitari.

Derisa po largoheshin me veturë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Kuçishtës se Rugovës, Haxhi Hoxha tha se u kishte thënë djalit dhe nipave të tij t’i telefonojnë policinë.

Ai tha së nuk e kishte ditur se i biri dhe nipat ishin të armatosur, ndërsa theksoi se nuk u kishte parë armë as vëllezërve Kastrati kur u pyet nga prokuroria, Sahide Gashi.

Në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe qiramarrësi i lokali, “Brigde 2”, Selman Gashi.

Gashi  gjatë pyetjeve të prokurores Sahide Gashi tha së mëngjesin e 7 qershorit të këtij viti, derisa po rinovonin lokalin, kishte ardhur Bekim Kastrati, për të cilin tha se iu kishte drejtuar me një ton  të lartë se pse po bënin investime në lokal.

“Është ardhë (Bekimi). Unë kam qenë duke punuar në lokal, me ka thënë me një zë të lartë: Pse po e ndreq lokalin. Ne ishim në rinovim. Tha ma ki hyp çmimin për 100 mijë euro se unë dua mi ble krejt këto lokale këtu. Unë i kam thanë se lokalin e kam me qira edhe e kam thirr Gëzimin në telefon e i kam thënë a po fol me të se po më nxerr telashe”, tha dëshmitari Selman Gashi.

Ai tha se më pas ia kishte dhënë Bekim Kastratit telefonin për të biseduar me Gëzim Hoxhën, ndërsa kur u pyet nga prokurorja, dëshmitari tha se ka pasur ofendime nga ana e Bekimit për të cilin tha se kërkonte që Gëzim Hoxha të vinte në Pejë për të biseduar.

Gashi tha se pas dy ose tri ore në lokal kishte ardhur Gëzimi Hoxha bashkë me babën e tij dhe dy djemtë. Ai tha së Gëzimi i kishte thënë që mos të ketë dert se do ta zgjidhë këtë problem.

Më pas dëshmitari tha se kishin ardhur dy vëllezërit Bekim e Nexhdet Kastrati bashkë me dy persona tjerë  në lokal.

“Filluan të flasin. Unë ju kam thënë merruni vesh ju vetë se unë s’du telashe”, tha ai.

Qiramarrësi i lokalit tha se nuk kishte qëndruar gjatë ne tavolinën ku po bisedonin Hoxhajt e Kastratët, por kishte hyrë brenda lokalit.

“Pastaj e kam dëgjuar zhurmë jashtë e pas pak edhe krismat e armëve”, tha Selman Gashi, derisa shtoi se nuk kishte mundur të shoh asgjë rreth incidentit që kishte ndodhur në tarracën e e lokalit.

Gjykatësi i thotë dëshmitarit se po rren

Edhe inspektori sanitar, Ismet Shabani, ka dhënë dëshminë e tij sot në gjykatë rreth këtij rasti. Para se ky dëshmitar të jepte dëshminë, në emër të tre avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, avokatja Aurora Mulhaxha kërkoi nga trupi gjykues që ai dëshminë ta japë nën betim pasi që është person zyrtar.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues i kësaj çështje.

Inspektori Shabani tha se atë ditë derisa po kalonte kah parkingu i familjes Kastrati e kishte thirrur Nexhdeti për t’u konsultuar rreth një lokali qe ai do e hapte.

Ai tha se Nexhdet Kastratin e kishte njohur si palë, për të cilin tha se me herët kishte pasur një lokal dhe kishte qenë në detyrë zyrtare për shkak të zhurmës disa herë.

Ditën kritike ai tha së kishe qëndruar në parking me Nexhdet Kastratin, ku tha se aty ishte njoftuar edhe me vëllain e tij, Bekimin.

“Bekimin e ka thirr dikush hajde se po te thirrin me folë. Ai ka shku me një punëtor. Unë kam ndejt me Nexhdetin. Pas diku 10 ose 15 minuta me tha Nexhdeti hajde shkojmë ta pimë nga një në lokal “Brigde””, tha inspektori.

Ai tha se kur kishin shkuar në lokal ishin takuar me Bekimin, një punëtor dhe një të moshuar në tavolinë.

“Aty i kam dëgjuar t’u thanë hajde tezak, për hajr”, tha ai.

Sipas inspektorit në ato momente situata ishte e qetë në tavolinë, ndërsa ai tha se  pas disa minutave kishte shkuar në tualet.

“Kur jam kthy nga tualeti e kam pa një person me automatik në dorë që vinte nga kerri në drejtim të tarracës së lokalit. Kam mendu që është lodër dhe po don ta frikësojë dikë. Kur është afruar diku 5-6 metra ka fillu me gjuajt, edhe një person tjetër e ka nxjerrë revolen prej tavolinës tjetër. Kanë gjuajtë me dy rafalla, një herë në drejtim të Nexhdetit e pastaj të Bekimit”, tha dëshmitari.

Ai tha se nuk është shumë i sigurt por tha se personi që ka shtënë me automatik ka qenë Gëzim Hoxha.

Rreth deklaratës se dëshmitarit Ismet Shabani edhe avokatët mbrojtës edhe të akuzuarit patën vërejtje.

Pasi përfundoi dëshminë e tij, Ismet Shabani pati një polemikë me anëtarin e trupit gjykues Sylë Lokaj. Ky i fundit në një rast iu drejtuar dëshmitarit se po “rren”.

Kjo bëri që avokati i Bekim Kastratit, Mustaf Kastrati të kërkojë përjashtimin nga ky proces gjyqësor nga trupi gjykues gjyqtarin Sylë Lokaj.

Sipas avokatit, gjyqtari Lokaj bëri deklaratë paragjykuese ndaj dëshmitarit.

Për këtë kërkesë të avokatit Kastrati, trupi gjykues kërkoi gjysmë ore pauzë të konsultohen rreth kësaj kërkese.

Pas pauzës trupi gjykues tha se kanë marr aktvendim se kërkesa e avokati Mustaf Kastrati është e palejuar në ketë fazë të shqyrtimit kryesor.

Seanca e radhës u caktua të mbahet ditën e nesërme kur priten të dëgjohen dëshmitarë të tjerë rreth këtij rasti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Gëzim, Rrezon e Rrethim Hoxha akuzohen për veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

http://kallxo.com/spitali-e-policia-japin-detaje-per-te-plagosurit-ne-peje/

Sipas aktakuzës, cak i sulmit të të akuzuarve ishin Nexhdet e Bekim Kastrati që kishin pasur një mosmarrëveshje pronësore me të akuzuarit.

“Me datën 07.06.2017 rreth orës 15:05 minuta në Pejë në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në kafiterinë ‘Brigde 2’ pas mosmarrëveshjes paraprake mes tyre si bashkëkryes me dashje tentojnë t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit: Nexhet e Bekim Kastrati dhe me këtë rast vënë në rrezik jetën e personave tjerë, këtu të dëmtuarve: B.R. dhe B.L.”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë tregohet edhe se si shpërthyen të shtënat.

“I pandehuri Gëzim që ishte aty afër prezent, shkon te vetura e tij e tipit ‘Mercedes A 180’,e cila ishte parkuar përballë kafiterisë, nga ku nxjerr pushkën automatike AK-47 dhe pasi afrohet në hyrje të tarracës fillon të shtie në drejtim të të dëmtuarve Nexhdet e Bekim duke zbrazur mbi ta shtatëmbëdhjetë plumba”.

Aktakuza përshkruan edhe veprimet e djemve të Gëzim Hoxhës.

“Në të njëjtën kohë i pandehuri Rrezon që ishte ulur afër të dëmtuarve në tavolinën tjetër ngritet dhe nxjerr pistoletën e tipit ‘Ekol Voltrana’ nga brezi dhe shtie në drejtim të të njëjtëve gjithsej shtatë herë, sikurse i pandehuri Rrethim, i cili në ndërkohë kishte dalë nga vetura në fjalë me pistoletën e tipit ‘Zoraki’ M-2906-B duke shtënë në drejtim ku gjendeshin të dëmtuarit dhe atë gjithsej gjashtë herë”, sqarohet në aktakuzë.

Më pas, sipas aktakuzës Gëzim Hoxha me dy djemtë e tij kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

“Pas kësaj të njëjtit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi i ngjarjes, e për pasojë, mbetën të plagosur, përveç të dëmtuarve në fjalë, edhe kalimtarët e rastit, B.R. dhe B.L.”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka  raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.