Ajri i ndotur në Fushë-Kosovë - Foto: KALLXO.com

Të Mërkurën Protestë Kundër Ajrit të Ndotur në Prishtinë

Të mërkurën, me 31 janar, përpara Teatrit Kombëtar në Prishtinë do të mbahet protestë kundër ajrit të ndotur.

“Prishtina ka kohë që po radhitet në vendin me ajrin më të ndotur në botë. Ne, qytetarët të cilët jetojmë në kryeqytet, po e vërejmë më shumë se kurrë ndikimin e ajrit të ndotur në jetën tonë. HAZARDOUS – është rezultati më i shpeshtë në faqen e cila e tregon gjendjen e ajrit në Prishtinë, me një kontrollim të thjeshtë në internet”, thuhet në thirrjen për protestë në Facebook.

Më tej thuhet se një hapje e dritares e tregon realitetin e ndotjes së tmerrshme të ajrit në Prishtinë.

“Mushkëritë tona si dhe shëndeti ynë po shkatërrohet duke u ekspozuar në këtë ajër, mjegull e smog. Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetur zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal”, potencohet në thirrjen për protestën e organizuar nga Arbër Selmani.

Në rrjetin social Facebook është krijuar një ngjarje me titull “Protestë kundër ajrit të ndotur në Prishtinë” përmes së cilës ftohen të interesuarit që të marrin pjesë në protestë.