Të Korruptuarit e Obiliqit Gjobiten me 7 Mijë Euro

Ujdia  në mes Prokurorisë së Prishtinës  dhe zyrtarëve të korruptuar të Obiliqit i ka shpëtuar tre zyrtarët e komunës Zejnullah Krasniqi, Haki Rraqi dhe Bajram Palojin nga dënimi me burg.

Në total për keqpërdorimin që kryen gjatë mbikëqyrjes së tenderit për ndërtimin e parkut rekreativ në Obiliq, tre zyrtarët e komunës u dënuan me 7 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit të shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Zejnullah Krasniqit dhe Haki Raqit iu shqiptua gjoba nga 2,500 euro ndërsa  Bajram Paloji u gjobit me 2000 euro.

Sipas prokurorisë, zyrtarët komunalë ia mundësuan Kompanisë NPP “Ardi” një përfitimin material duke ia pranuar punën e pakryera në parkun rekreativ të Obiliqit.

Zejnullah Krasniqi ishte menaxher i komisionit për pranimin e punimeve, ndërsa tre të akuzuarit tjerë anëtarë të tij. Zyrtarët në fjalë janë suspenduar nga puna në komunën e Obiliqit në momentin kur ndaj tyre  është ngritur aktakuza.

Procedura gjyqësore ndaj të akuzuarës së katërt Ivana Spasiq është ndarë dhe do të vazhdojë pasi që ajo nuk e ka pranuar fajësinë.

http://kallxo.com/zyrtaret-e-obiliqit-marreveshje-per-pranim-fajesie/

Reagim nga Haki Rraqi (24 janar 2016)

Si mundet një portal si ju, me gazetar profesionist e me përvojë, të me japi mua dhe kolegëve të mi këtë epitet: ”te korruptuarit e Obiliqit”.

Unë spo arrij të kuptoj, gjithë ai gjykim për më shume se dy vite, nuk gjeti fjalën korrupsion, as si materie e as si të shkruar..

Për çudi kjo fjalë nuk përmendet askund ,bile as në aktakuzën e ngritur nga Prokurorja, e lëre ma në Aktvendimin Final të Gjykatës.

Në rastin tonë, këtë term e shpikët ju, duhet të ju vie keq, shumë keq..

Është e vërtetë se ne, pa dashje kemi bërë një shkelje, e kemi kuptuar, edhe pse u vërtetua se asnjëri institucion me këtë rast s`u dëmtua,të lodhur nga stërgjatja e këtij gjykimi, ne pranuam fajin, dhe për këtë jemi penalizuar, edhe pse askush përveq neve, asnjë cent nuk është dëmtuar.

Pavarësisht kësaj, ne paskemi vepruar keq, dhe sipas kodit penal, e paskemi shkelur Ligjin,

U pajtuam ne, u bindëm dhe pranuam fajin, ne e paskemi shkelur Ligjin.

Gjykata na e shqiptoi denimin…,besoni, përveq të këqijave që na solli ky gjykim, e paska edhe anën pozitive…, kemi mësu e kemi lexu, vërtet jemi korrektuar.

Deri këtu e kemi merituar, për këtë edhe kemi pranuar.

Etiketimin që na e kishit bërë ju si ”TË KORRUPTUARIT E OBILIQIT”, nuk e kemi merituar.

Për ne, ndëshkim është etiketim  që ju na e keni bërë . Nuk e kemi merituar.

Ne kemi bërë shkelje por jo korrupcion.

Ne kemi bërë shkelje por skemi marr ryshfet.

Ne kemi bërë shkelje por asnjeri skemi korruptuar,

Ne kemi bërë shkelje por askush sna ka korruptuar…

Ne kemi bërë shkelje duke mos ditur se po bëjmë shkelje,prandaj:

Ka e nxorrët ju këtë??????

Ku e morrët ju këtë të drejtë të na Etiketoni me këso përmbajtje, deri në këtë masë të përulni karakterin tonë, të SHPIFNI publikisht mbi emrat dhe përsonalitetin tonë, të tjetërsoni deri në këtë masë kuptimin e një Aktgjykimi.

Sqarim i KALLXO.com (24 janar 2016)

Redaksia e KALLXO.com e sqaron z. Haki Rraqi për raportimin e drejtë dhe të saktë të kryer nga ekipi i KALLXO.com. Ju njoftojmë se konstatimi se zyrtarët e Obiliqit janë dënuar për korrupsion është  nxjerrë bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës i cili veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare e rendit në kapitullin e veprave penale të korrupsionit.

Andaj i bëjmë me dije  z. Rraqi se vepra  penale për të cilën ai është dënuar është vepër penale e korrupsionit dhe raportimi ynë është i drejtë dhe i saktë. Raportimi ynë në këtë rast po edhe në të gjitha rastet e tjera ka qenë profesional dhe i balancuar.