Të hyrat vetanake problem për shumicën e Komunave

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka pritur në takim pune kryetarët e Komunave në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna”.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat.

“Përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat. Disa prej tyre po i theksoj dhe po filloj me aprovimin e ligjit për dhënien në shërbim të pronave. Kemi aprovuar mbi 50 vendime që janë kërkesa të komunave. I kemi edhe 14 kërkesa të reja nga komunat, por duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo kërkesë që është për zhvillim ekonomik është trajtuar me prioritet. Sa i përket buxhetit e di që nuk jeni të kënaqur. Për vitin që vjen ne na duhet të shkojmë me prioritet se çka kanë mbetur punët pa bërë”, ka thënë Haradinaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se granti për komunat po rritet vazhdimisht. Por, ai ka pasur një lutje për të gjithë kryetarët e komunave.

“Niveli lokal inkasimin vetanak e mban në një nivel të njëjtë dhe mungesa e inkasimit të të hyrave ju vështirëson realizimin e projekteve. Janë disa iniciativa ligjore që juve iu lehtësojnë humbjen. Këtë vit i kemi planifikuar në buxhet financimin e dy ligjeve, ligji për Prishtinën dhe për Obiliqin. I kemi marrë në konsideratë shumë projekte të komunave dhe shumë projekte të tjera janë prej nivelit qendror për nivelin lokal. Kanë qenë 5 marrëveshje me qeverinë austriake, të gjitha janë aprovuar. Janë gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm me qeverinë hungareze”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu ka kërkuar rekomandimet e këtij asociacioni të merren parasysh.

“Ju lutemi që rekomandimet që vijnë nga komunat përmes asociacionit të merren parasysh”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri ka thënë se këtë vit prioritet e kanë zhvillimin ekonomik lokal.