Nga gjykimi për vrasjen e trefishtë në Prizren. Foto: Kallxo.com

Të Hënën Shpallet Aktgjykimi Për Vrasjen e Trefishtë Në Prizren

Sot u dha fjala përfundimtare në gjykimin për vrasje të trefishtë në Prizren ku të akuzuar janë babë e bir, Eshref dhe Ejup Shemallari.

Ata akuzohen se në mars të vitit 2015, në Prizren, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, vranë Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoyn, që të tre nga ky qytet.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Genc Nixha ndryshoi aktakuzën sa i përket të akuzuarit Ejup Shemallari, nga vrasja e rëndë në bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë. Po ashtu, prokurori hoqi dorë ndaj Ejup Shemallarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokurori kërkoi në fund që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues tha se jetët e tre personave të ndjerë kanë mund të shpëtohen dhe të mos vije deri te vrasja, nëse organet e ndjekjes do të kishin vepruar në kohë.

Avokati Halimi, tha se tre të ndjerit disa herë i kanë shqetësuar të akuzuarit dhe Eshref Shemallarit i kanë shkaktuar edhe lëndime të rënda trupore.

Por, sipas tij, organet hetuese kanë dështuar të veprojnë në kohë.

Halimi, tha po ashtu se ditën kritike të akuzuarit kishin dalë për të marrë gjëra ushqimore për familjen, ndërsa njëri ndër ta, Eshref Shemallari, kishte marrë me vete edhe armën.

Avokati tha se gjatë rrugës, Eshrefi kishte ndaluar për të pyetur frizerin për termin, ndërsa aty ishin ofruar të ndjerët dhe i kishin thënë “a don me të zbutë hala, a don me ta zbutë djalin?”.

Ky, tha Mahmut Halimi, kishte qenë moment që Eshrefi kishte nxjerrë pushkën që e kishte në bagazh të veturës të cilën e drejtonte Ejupi dhe kishte shtënë mbi të ndjerët.

Avokati Mahmuti, përmendi se tre të ndjerët edhe sipas raportimit të mediave, e edhe në bazë të dokumentacionit kishin qenë persona të njohur për organet e rendit për të kaluarën e tyre kriminale.

http://kallxo.com/rrefimi-ne-gjykate-i-te-dyshuarit-per-vrasjen-e-trefishte-ne-prizren/

Avokati Halimi, tha se klienti i tij Eshref Shemallari sipas ekspertizës kishte dalë me aftësi mendore esencialisht të zvogëluar, duke kërkuar nga trupi gjykues që i njëjti të gjykohet për vepër penale të vrasjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

I akuzuari Eshref Shemallari, kërkoi falje para trupit gjykues dhe para familjarëve të viktimave për atë që ka ndodhur.

Ndërsa mbrojtësi i Ejup Shemallarit, avokati Betim Shala, duke u bazuar në aktakuzën e ndryshuar nga Prokuroria e Shtetit për klientin e tij, deklaroi se edhe ndryshimet e bëra nga prokuroria nuk kanë bazë.

Konform Kodit të Procedurës Penale, ai i propozoi gjykatës që të sjellë aktgjykim lirues për klientin e tij dhe po ashtu kërkoi që të njëjtit t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Edhe i akuzuari Ejup Shemallari kërkoi falje për atë që kishte ndodhur.

Trupi gjykues, njoftoi të pranishmit se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më datë 02.10.2017.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, pasi që më 8 mars 2015 rreth orës 14:10 minuta në Prizren në Rrugën “Ismet Jashari- Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privuan nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaçi dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të së kaluarës recidiviste të të vrarëve, tashmë është drejt fundit të gjykimit në Gjykatën e Prizrenit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

http://kallxo.com/babe-e-bir-ne-gjykate-per-vrasje-te-trefishte/