Senati i UP-së - Foto: KALLXO.com

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Senatit të UP-së

Senati i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e 45-të me radhë.

Në këtë mbledhje në rend dite ishte zgjedhja e prof. Skender Ahmetit prodekan për çështje financiare në bazë të propozimit nga Këshilli i FIEK.

Ahmeti u zgjodh njëzëri.

Pikë e rendit të ditës të mbledhjes së sotme ishte edhe marrja e vendimit për emërimin e një anëtari të ri për Këshill Etik të UP-së dhe marrja e vendimit lidhur me kërkesën e Kryeministrit Haradinaj për transferin e një grupi të studentëve nga Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Tetovës në të njëjtin fakultet të Universitetit të Prishtinës.

Këto pika të rendit të ditës u shtynë për mbledhjen e ardhshme të Senatit që mbahet të enjten.

Për këtë pikë të rendit të ditës dhanë komentet e tyre dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli dhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Dekani Dugolli tha se nuk duhet të shkelet rregullorja e Universitetit të Prishtinës me pranimin e studentëve nga Universiteti i Tetovës.

“Nuk duhet të shkelen rregullat dhe autonomia e UP. Ata që i kanë zgjedhur universitetet jashtë i kanë zgjedhur me dëshirë, le të vazhdojnë më tutje atje”, tha Dugolli.

Kurse dekania Suzana Manxhuka- Kërliu njoftoi Senatin se Fakulteti i Mjekësisë tashmë po e respekton vendimin e Senatit.

“Dua të njoftoj Senatin se ne e kemi respektuar vendimin e Senatit për pranimin e studentëve të jashtëm, por duhet të ketë të njëjtat kritere si të studentëve tanë”, tha Manxhuka- Kërliu.

Pika e rendit të ditës në lidhje me shqyrtimin dhe vendosjen për kërkesën e prof. Selim Bezeraj për një vit të lirë akademik me pagesë, me qëllim të ngritjes akademike në kuadër të Univeristetit Benedict International Education Group në Zvicër, u miratua nga senatorët e Universitetit të Prishtinës.

Dekani i Fakultetit Filozofik, ku profesori Bezeraj ligjëron aktualisht, tha se ligjërata do t’i mbajë më të koncentruara në mënyrë që të mos humbin studentët.

“Ne e kemi analizuar si fakultet dhe kemi vendosur ta mbështesim, mësimi do të mbahet më i koncentruar siç jemi marrë vesh me profesorin”, tha Dugolli.

Gjithashtu edhe shqyrtimi i kërkesave për miratim të temës së diplomës dhe aprovim të mentorit sipas raportit të KQSD-së për kandidatët në studimet e doktoratës nga njësitë akademike të Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Bujqësisë dhe Veterinarisë, u miratuan njëzëri, pa asnjë kundërshtim dhe asnjë abstenim.

Kërkesa e dekanit të Fakultetit të Arteve, Agim Selimi për mundësinë e regjistrimit të Arnit Krasniqit u refuzua pasi ky student është çregjistruar nga Universiteti i Prishtinës, rrjedhimisht nuk është student i UP.

Në rend dite ishte edhe shqyrtimi dhe marrja e vendimit në lidhje me Raportin e Komisionit për ankesa e parashtresa të Senatit, u shty për mbledhjen e ardhshme.

Kurse, zgjedhja e personelit të rregullt akademik pas rishqyrtimit për Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Arteve, u krye në këtë mbledhje.

Këta janë kandidatët e Fakultetit të Mjekësisë që morën thirrjet akademike në këtë mbledhje të Senatit:

Kandidatja Zylfie Hondozi, u shty për mbledhjen e ardhshme të Senatit të Universitetit të Prishtinës pasi u mbet të rishqyrtohen punimet e saj.

Kandidatja Teuta Pustina- Krasniqi u rizgjodh profesor asistent.

Kandidatja Luljeta Neziri- Ahmetaj u shty për mbledhjen e ardhshme pasi senatorët nuk u pajtuan me tri propozimet për thirrje akademike sepse kishte dy propozime për profesor të asocuar dhe një për profesor asistent.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu tha se kandidatja është për çdo lëvdatë për asistente ndërsa jo për profesor të asocuar.

“Komisioni po bën një punë të mirë shumë dhe po na ndihmon, kandidatja është për çdo shembull si profesoreshë asistente, por ajo nuk na ka dërguar punimin në tërësi por na ka dërguar një abstrakt dhe mendoj se duhet të vazhdojë si asistente”, tha Suzana Manxhuka- Kërliu.

Studenti senator Egzon Daku tha para senatorëve se nuk pajtohet me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë për shkak se kandidatja në fjalë i ka të gjitha punimet e duhura për thirrjen akademike profesor i asocuar.

“Ky rast duhet të trajtohet me shumë kujdes sepse punimet e saj janë të publikuara, po flasim për një profesoreshë me shumë kredibilitet dhe shumë të aftë”, tha Daku.

Qendresa Zogaj u zgjodh asistente.

Kurse kandidatja Hasime Qorraj Bytyçi u zgjodh profesor asistent.

Për këtë kandidate dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu propozoi t’i vazhdohet kontrata njëvjeçare për shkak se është para pensionimit.

Vendimi për kandidatët, Hysni Arifi, Florent Kalaja, dhe Naim Zeka u shty për mbledhjen e ardhshme e kandidati Naser Salihi u rizgjodh profesor asistent.

Kandidati, Hamdi Ramadani u zgjodh profesor i asocuar, gjithashtu edhe Ilir Tolaj mori të njëjtën thirrje akademike.

Kandidatja Pranvera Breznica-Selmani u zgjodh profesor asistent.

Kandidatët e Fakultetit të Arteve që morën thirrjet akademike në këtë mbledhje të Senatit:

Kandidatët, Fatmir Hoxha, Bardhyl Bejtullahu, Lyra Zajmi morën thirrjen akademike profesor i asocuar.

Për kandidaten Lyra Zajmi dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli tha se tashmë ata e kanë pranuar një e-mail në lidhje me thirrjen akademike të kandidates Zajmi.

“Ne e kemi pranuar e-mail ku thuhet se kjo kandidate është zgjedhur profesor asistente në një lëndë në këtë fakultet, tash në këtë rast po kërkohet thirrje për lëndë të tjera. A ka UP rregullore për thirrjet akademike se nëse është kështu atëherë duhet të ndërrohen thirrjet”, tha Dugolli.

Kandidati Muhamet Ahmeti u zgjodh profesor i rregullt.

Vendimi për kandidatët Agron Bytyçi, Nagip Berisha dhe Visar Mulliqi u shty për mbledhjen e ardhshme, kandidatja Valbona Rexhepi u zgjodh profesor e rregullt.

Kandidati Mehmet Behluli u avancua në profesor të rregullt kurse kandidatja Nora Halimi u refuzua pasi nuk kishte përgatitje të duhur.

Kandidatja Merita Juniku u zgjodh profesor i rregullt e kandidati Mizbah Kacamaku mori thirrjen profesor i asocuar në këtë mbledhje të senatit.

Kandidati Selami Kolonja u rizgjodh profesor asistent, kandidatja Zana Badivuku Basha u rizgjodh profesor i asocuar, kandidati Astrit Mustafa mori thirrjen profesor asistent.

Vendimi për kandidatët Betim Krasniqi, Edon Ramadani, Alma Bektashi, Burim Gora, Agim Selimi, Drita Begolli, Emin Emini, Sahadete Beqiri u shtyen për mbledhjen e ardhshme.

Kandidati Drinor Zyberaj u zgjodh asistent, kandidati Besim Rexhaj u rizgjodh profesor i asocuar.