Nga një takim i mëhershëm i ministrit të Financave, Avdullah Hoti, me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti

Të Gjitha Ballafaqimet e Komunës me Qeverinë për Autobusët

Pas emisionit “Jeta në Komunë” ku Ministri i Financave Avdullah Hoti, u akuzua nga kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, se nuk po e jep garancionin te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për marrjen e kredisë për blerjen e autobusëve, ministri Hoti ka lëshuar deklaratë për medie.

Ai ka thënë se lëshimi i garancisë shtetërore për kredinë që Ndërmarrja Publike Trafiku Urban, pritet të marrë nga BERZH-i është çështje ligjore dhe nuk varet nga vullneti i askujt. Sipas Hotit, sapo të plotësohen kushtet që parashihen me ligj, Qeveria obligohet ligjërisht të dërgoj në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancionin shtetëror për këtë kredi.

“Për miratimin e këtij projektligji kërkohen 2/3 e votave të deputetëve dhe Kuvendi i Kosovës duhet të lejohet të votojë”, tha ai.

Sipas tij, komuna e Prishtinës nuk është dashur të presë për kurrfarë letre që t’i tregohet se cilat janë obligimet ligjore që duhet të plotësojë në mënyrë që Qeveria të procedojë në Kuvendin e Kosovës projekt-ligjin për garancinë shtetërore për këtë kredi.

Hoti është arsyetuar edhe për takimin që e ka pasur me kryetarin Ahmeti duke thënë se “pasi Komuna e Prishtinës nuk ka kryer këto obligime me kohë, është dashur të ftohet Kryetari i Komunës në takim që të qartësohen këto obligime”.

http://kallxo.com/kryeqyteti-ne-sedren-e-shpend-ahmetit-sami-hamitit-e-lirak-celajt/

Sipas njoftimit të dërguar nga Ministria e Financave thuhet se Trafiku Urban mund të marrë kredi edhe pa garancinë shtetërore. Por, sipas tyre në këtë rast norma e interesit do të ishte dukshëm më e lartë.

“NP Trafiku Urban përmes Komunës së Prishtinës ka kërkuar këtë garancion, dhe normalisht Qeveria kërkon përmbushjen e kushteve ligjore për të lëshuar këtë garancion. Këto kushte e sigurojnë Qeverinë që në të ardhmen, në rast se NP Trafiku Urban nuk e paguan kredinë, atëherë Qeveria i kërkon Komunës përmbushjen e këtij obligimi. Vetëm në rast se edhe Komuna nuk e kryen këtë obligim, atëherë Qeveria ndërhynë dhe kryen obligimet ndaj BERZH-it me mjetet e taksapaguesve. Prandaj, Qeveria duhet të sigurohet se janë plotësuar të gjitha kushtet për lëshimin e garancisë”, thuhet më tutje.

http://kallxo.com/autobuset-vonohen-polemikat-komune-qeveri-ndizen/

Jeta në Kosovë, ka siguruar edhe dy letrat e shkëmbyera mes Ministrisë së Financave dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me kushtet që duhet t’i plotësoj Komuna e Prishtinës për ta nënshkruar garancionin Ministria e Financave.

Ministria e Financave kishte dërguar me 16 shkurt 2016 tek kryetari Ahmeti kushtet që duhet t’i plotësoj Komuna e Prishtinës.

Ministria ka qartësuar se Komuna e Prishtinës duhet të përcjellë tek Ministria e Financave autorizimin për drejtorin e Trafikut Urban të lëshuar nga Kuvendi i Komunës, si aksionar i Trafikut Urban.

“Ky autorizim i mundëson hyrjen në obligime financiare ndërmarrjes në fjalë dhe mundëson nënshkrimin e marrëveshjes për kredi nga ana e drejtorit të NP Trafiku Urban. Ministria e Financave ka dërguar dy shkresa Komunës së Prishtinës  (16 shtator 2015 dhe 16 shkurt 2016), duke kërkuar ndër tjera specifikisht kopjen e autorizimit, respektivisht pas kërkesës së dytë kemi pranuar autorizimin”, thuhet në letër.

Kusht tjetër sipas Ministrisë është që për ta bërë të mundshme një tarifë sa më pak të kushtueshme për ndërmarrjen, është i nevojshëm zotimi i Komunës së Prishtinës si palë garantuese e kredisë së Trafikut Urban.

Në këtë rast sipas ministrisë, Komuna do të duhej të krijonte një zë të ri buxhetor, të dizajnuar për pagimin e kredisë në rast të pamundësisë që Trafiku Urban të përmbush kushtet e kredisë.

“Për të përmbushur kushtin e marrëveshjes që lidhet me ndryshimin e tarifës së biletave, është e nevojshme që paraprakisht të aprovohet rregullorja për caktimin e tarifës së re të transportit publik, efektiviteti i së cilës do të lidhej me momentin e arritjes së grupit të parë të autobusëve të rinj”, thuhet më tutje.

Sipas kësaj letre Ministri ka ritheksuar gatishmërinë që shumë shpejtë ta aprovojnë në Qeveri garancinë shtetërore për marrjen e kredisë nga Trafiku Urban, sapo Komuna të përmbushë këto kushte.

letra_hoti1

letra_hoti2

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, më 18 shkurt 2016 i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Financave duke mos lënë pa e cekur se pas gati 5 muaj e gjysmë i kanë nënshkruar së bashku termat e kredisë.

Ahmeti në përgjigjen e kërkesave të ministrisë ka thënë se kredia është 10 vjeçare me periudhë grejs (grace period) prej dy viteve.

Sipas tij për dy vite nuk ka nevojë të paguhet asnjë këst as në vitin 2016 as në 2017, prandaj sipas tij nuk ka pasur nevojë të fusin ndonjë zë buxhetor në vitin 2016 e as në rishikimin buxhetor.

“Edhe po të vendosim të fusim një zë në vitin 2018, kjo nuk përkon me praktikat e mira që zërat buxhetor të futen në organizatën që merr kredinë edhe në buxhetin e komunës sepse është bllokim i panevojshëm i mjeteve”, thuhet në përgjigje.

Përgjigjja tjetër sipas Ahmetit, për MF-në është se projekti nuk mund të realizohet nëse nuk përmbushen kushtet të cilat i ka vendosur BERZH-i.

“Për këtë kusht si dhe për kushtet e tjera janë të parapara afatet në kushtet e kredisë. Këto kushte janë negociuar dhe nënshkruar nga të tre palët përfshirë edhe Ministrinë e Financave, prandaj, nuk po e kuptojmë nevojën që këtë ta bëjmë edhe tani:, thuhet në përgjigje.

letra_ahmeti1

letra_ahmeti2

Edhe Komuna e Prishtinës, dje ka lëshuar komunikatë për medie, ku ka thënë se duke u bazuar në dakordimin me Ministrinë e Financave, BERZH-i ka dërguar kredinë në aprovim në bord më 3 shtator 2015.

“Po mos të kishte dakordimin e Ministrisë së Financave nuk do ta dërgonin, sepse ky ishte parakusht. Që nga gushti i vitit 2015, ministria nuk ka dërguar as edhe një letër, dhe po ashtu nuk ka kërkuar asnjë sqarim nga Komuna.  Kemi dëshmi të emaileve të panumërta nga BERZH-i, duke pyetur se çka po ndodhë”, thuhet në deklaratën e komunës së Prishtinës.

Lidhur me çështjen e Trafikut Urban, kishte reaguar edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, nga Londra.

Mustafa, në kuadër të Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka zhvilloi një takim bilateral me presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti.

Gjatë takimit në Londër, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, ishte biseduar edhe për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, si dhe projektet konkrete që do të përkrahen nga kjo Bankë në Kosovë.

Kryeministri Mustafa kishte shprehur edhe përkrahje për projektin e Trafikut Urban në Prishtinë, që sipas tij është vonuar për shkak të mos përmbushjes së procedurave ligjore nga Komuna e Prishtinës.

Mustafa ka shprehur besimin se edhe Kuvendi i Kosovës do të kryejë punën e tij në ratifikimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara me BERZH-in në shumë prej 59 milionë eurosh.

Por, për të mos e lënë me kaq, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, sot në mesditë do të mbajë konferencë për media, rreth projektit të autobusëve të rinj për qytetin e Prishtinës dhe bllokadës që sipas tyre po ja bën Qeveria këtij projekti.

[interaction id=”56cc3a8ee5be274a1fde071d”]