Te enjten hapet ekspozita me vizatimet e Muslim Mulliqit

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë të enjten, më 30 maj 2019 ekspozitë “Home +”, me vizatime të piktorit tashmë të ndjerë Muslim Mulliqi.

Ekspozita lidhet edhe me përvjetorin e lindjes së Mulliqit, një prej artistëve më të mëdhenj të artit pamorë kosovar.

Hapja e kësaj ekspozite do të bëhet në mbrëmjen e së enjtes duke filluar nga ora 20:00, ndërsa është kuruar nga artisti Zeni Ballazhi.

Në një prononcim për Kallxo.com kuratori i ekspozitës Zeni Ballazhi është shprehur se ekspozita “Home +” është e para dhe vetmja e Mulliqit me vizatime dhe me një tematike të tillë.

Mulliqi, sipas kuratorit Ballazhi disponon qindra e qindra vizatime, për ekspozitën që hapet të enjten janë përzgjedhur rreth 100 vizatime të cilat nuk janë ekspozuar dhe nuk janë parë më parë.

“Ekspozita është konceptuar të japë një ambient të ngrohtë familjar e cila është e aranzhuar me delikatese ku publiku do të këtë rastin t’i shikojë veprat nga një këndvështrim tjetër jo të zakonshëm ku pikërisht këtu është edhe karakteristika e veçantë e prezantimit të vizatimeve”, ka thënë Ballazhi.

Vizatimet janë të formateve nga më të voglat deri te ato dimensione më të mëdha, që sipas Ballazhit, do të ketë edhe vizatime ku Mulliqi ka vizatuar edhe mbi libra apo ditare të punës.

Ballazhi ka thënë më tej se vizatimet, si baza themelore e shprehjes pamore, kompozicionet (duke kërkuar hapësira të reja) janë evidente dhe kjo bën që të zbulohet dhe të kuptohet lidhja me veprën, lirinë e interpretimit të Mulliqit në raport me realitetin e një jete të jetuar në mënyrën tonë të lirë.

“Në vizatimet e Mulliqit zënë vend edhe referencat mitologjike, simbolike dhe rishfaqen gjithmonë brenda zhvillimit të tyre koherent drejt një ekspresioni figurativ dhe origjinal. Ai mbështetet në forma të marra nga bota reale, nga të cilat ekzistojnë shembuj të pafund”, ka thënë kuratori Ballazhi, në një prononcim për Kallxo.com.

Muslim Mulliqi u lind në vitin 1934 në Gjakovë. Akademinë e Arteve Figurative dhe studimet pasuniversitare i kreu në Beograd.

Ka qenë anëtar i ShAFK që nga themelimi dhe është njëri prej themeluesve dhe Dekan i parë i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ndërsa ishte edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej vitit 1980. Vdiq në vitin 1998.