ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Të dyshuarve për vrasje dhe grabitje policia ua konfiskoi 13 automjete

Të premten rreth orës 13:55, në fshatin Merdare të Podujevës janë bastisur shtëpi dhe banesa të personave të implikuar në rastin e vrasjes së rëndë në tentativë dhe grabitje.

Policia ka njoftuar se me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur disa shtëpi, banesa dhe objekte përcjellëse në disa lokacione.

Gjatë kësaj bastisje janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, si dhe janë konfiskuar trembëdhjetë automjete të ndryshme.

Bëhet fjalë për dy motoçikleta, disa telefona celular dhe një pistoletë të cilat dyshohet se janë blerë me të holla të përfituara nga veprat penale.

Sipas policisë, të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.