Seanca për caktimin e masë së sigurisë ndaj katër të dyshuarve për rrahjen në tregun e Rogovës së Hasit - FOTO KALLXO

Të dyshuarit për rrahje në tregun e Rogovës së Hasit dalin para Gjykatë së Gjakovës

K. H, A. H., L. H. dhe Sh. B. që u përleshën të Hënën në fshatin Rogovë, janë sjellë sot në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë.

Kjo seancë u mbajt pas kërkesës së prokurorit Agron Matjani për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve.

Prokurori Agron Matjani duke e arsyetuar kërkesën e tij për paraburgimin ndaj të njëjtëve, para gjykatës tha K. H, A. H., L. H. se në bashkëkryerje kanë kryer veprën e sulmit.

“Tre të pandehurit me dashje kanë përdorur forcë duke iu bërtitur dhe vërsulur ndaj të dëmtuarve V. B. dhe L. K., të cilët kanë qenë duke rrënuar një objekt i cili gjendet në tregun e fshatit Rogovë dhe në ndërkohë i pandehuri K. H. me kondak të armës i ka rënë në kokë V. B.”, deklaroi prokurori para gjykatësit të procedurës paraprake.

Për veprimin e K. H. me kondak të armës, Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer veprën e lëndimit të rëndë trupor ndaj V. B.

Ndërsa për Sh. B., Prokuroria dyshon se ditën kritike kishte gjuajtur me armë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Në seancën e sotme paraprake, avokatët e katër të pandehurve duke kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit, thanë se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke kërkuar nga gjykata që të ju caktojë një masë më të lehtë, siç është masa e paraqitjes në stacionin policor.

Mirëpo kërkesat e mbrojtjes i kundërshtoi prokurori i rastit Agron Matjani.

“Ekziston rreziku se nëse të pandehurit lihen në liri do ta përsërisin veprën penale, apo edhe të ndikojnë në dëshmitarët të cilën ende nuk janë dëgjuar”, tha prokurori Matjani.

Kjo përleshje dyshohet se ka ndodhur për shkak të një tregu, të cilin e kishte ndërtuar dhe pasur në shfrytëzim i pandehuri K. H., por me vendim të Komunës ai i është ndarë familjes së të dëmtuarit V. B., i cili ka rrënuar të njëjtin objekt.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-rreth-perleshjes-ne-rogove/

www.KALLXO.com