Të dyshuarit e Srebrenicës gjejnë strehë të sigurt në Serbi

Të paktën nëntë serbë të dyshuar për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë janë arratisur nga Bosnja për të shijuar strehim nga prokuroria në Serbi, ku ata vazhdojnë të qëndrojnë të lirë pavarësisht përfshirjes së dyshuar në masakrat e mijëra boshnjakëve.

“Ata na ngarkuan në dy autobusë, pasi na lidhën fillimisht duart. Pashë që arritëm në disa shtëpi dhe atë fermën në Branjevo. Atje ishte ushtria, vrasësit dhe mund të dëgjoje të shtënat me armë. Ata na nxorën jashtë. Mund të shikoje vdekjen me sytë e tu. Nuk kishte më jetë.”

Kjo është dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur të koduar me emrin Z2 para gjykatës boshnjake në vitin 2011, teksa kujton sesi u morën nga Srebrenica nga forcat e udhëhequra nga Ratko Mlladiq pasi Ushtria Serbe e Bosnjës pushtoi qytetin në korrik të vitit 1995.

Të paktën 1,000 boshnjakë do të përfundonin duke u vrarë në fermën Branjevo nga pjesëtarët e Detashmentit të 10-të të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, sipas gjykatës boshnjake që dënoi pesë nga anëtarët e njësisë me një total prej 122 vitesh burg.

Komandanti i Detashmentit, Milorad Pelemis, megjithatë, nuk ishte në mesin e tyre – ai ishte në Serbi, ku s’mund të arrihej nga prokuroria boshnjake.

“Prokuroria boshnjake lëshoi një urdhër arresti për Pelemisin. Ai ka njoftim të kuq nga Interpoli, por vazhdon të shfaqet shumë shpesh në mediat serbe,” tha për BIRN Ivana Zaniq, koordinatore e ekipit ligjor në OJQ-në Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Në të vërtetë, Pelemis ka bërë shumë dalje publike gjatë viteve, duke mohuar akuzat kundër tij, si edhe duke këmbëngulur se në Srebrenicë nuk ndodhën vrasjet masive të tjera.

Në vitin 2015, Pelemis tha në gjyqin e kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë se asnjëri prej tyre nuk urdhëroi sulmet në Branjevo.

“Unë nuk mora pjesë në zgjedhjen e luftëtarëve dhe në dhënien e kësaj detyre,” tha Pelemis në gjykatë.

Ashtu si Pelemisi, të paktën tetë serbë të Bosnjës të kërkuar ose që kanë lidhje me gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë janë arratisur nga Bosnja dhe Hercegovina drejt Serbisë, ku zyra e prokurorisë për krimet e luftës me bazë në Beograd ka akuzuar vetëm një prej tyre, ndërsa autoritetet serbe shpërfillin thirrjet për masa nga Bosnja.

Fondi për të Drejtën Humanitare i ka paraqitur kallëzime penale zyrës së prokurorisë serbe për krimet e luftës kundër Pelemisit dhe 11 të tjerëve që i akuzon për përfshirje në gjenocid në Srebrenicë.

FDH ka botuar një dosje mbi Detashmentin e 10-të të Sabotazhit duke pretenduar se anëtarët e tij vranë 1,200 boshnjakë të Srebrenicës në fermën e Branjevos me urdhër të Pelemisit dhe Dragomir Pecanaqit, ndihmësi personal i Ratko Mlladiq.

Ajo gjithashtu akuzoi Pelemisin dhe kolonel Petar Salapurën për urdhërimin e një ekzekutimi masiv në fshatin Bisina më 23 korrik 1995, kur anëtarët e detashmentit dyshohet se vranë së paku 39 boshnjakë.

“Deri më sot, nuk kemi informacione nëse prokurori i krimeve të luftës po vepron apo jo për kallëzimin tonë penal,” tha Zaniq.

BIRN e pyeti zyrën e prokurorit serb për krimet e luftës në lidhje me këtë dhe çështjet e tjera, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.

BIRN gjithashtu u përpoq të kontaktonte me Pelemisin për një koment, por pa sukses.

Të paktën nëntë të dyshuar për gjenocid të lirë në Serbi

Pelemis është vetëm një nga disa luftëtarë serbë të Bosnjës të cilët ose kërkohen në Bosnje, por nuk po ekstradohen, ose kundër të cilëve në Kroaci janë paraqitur kallëzime penale të cilat autoritete duket se nuk po i zbatojnë.

Prokuroria boshnjake paralajmëroi në vitin 2016 se ish-ndihmësi i Mlladiqit, Dragomir Pecanaq, ishte në Serbi dhe një tjetër anëtar i Detashmentit të 10-të të Sabotazhit, Zoran Obrenoviq.

“Në interes të drejtësisë, ne i bëjmë thirrje gjyqësorit serb ose të gjykojë këta të dyshuar ose t’i ekstradojë ata në Bosnje,” tha prokuroria.

Kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit e Bosnjës, Murat Tahiroviq, beson se Serbia nuk ka treguar dëshirë për të bashkëpunuar me Bosnjën për ndjekjen penale të krimeve të luftës, pavarësisht faktit se prokuroritë e të dy vendeve nënshkruan një marrëveshje për ta bërë këtë në vitin 2013.

“Marrëveshja e nënshkruar midis prokurorëve është vetëm për të kënaqur Bashkimin Europian,” tha Tahiroviq për BIRN.

Edhe kur nisen procedimet gjyqësore, të dyshuarit nuk akuzohen për gjenocid, pasi Serbia nuk e pranon këtë përkufizim të masakrave të Srebrenicës, shtoi ai.

Serbia gjithashtu nuk ndjek penalisht të dyshuarit për përfshirje në një konflikt ndërkombëtar, pasi Beogradi nuk pranon se ka marrë pjesë në luftën në Bosnjë. Sipas autoriteteve të Beogradit, lufta në Bosnje ishte një konflikt i brendshëm në të cilin Serbia si shtet i huaj nuk mori pjesë.

Ivana Zaniq tha se Pecanaq dhe Obrenoviq janë midis ish-ushtarëve për të cilët FDH i ka paraqitur kallëzim penal prokurorisë serbe.

Sipas dosjes së FDH-së për Detashmentin e 10-të të Zbulimit, pesë prej ish-anëtarëve të tij që nuk janë ndjekur penalisht jetojnë në Serbi.

Prokuroria e Bosnjës beson se të paktën katër ish-ushtarakë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës të kërkuar nga Sarajeva për akuzat për gjenocid po fshihen në Serbi.

Midis tyre janë Borislav Stojsiq dhe Rajko Drakuliq, të cilët u akuzuan në janar të këtij viti për asistim në burgosjen dhe ekzekutimin e burrave boshnjakë nga Srebrenica dhe zhvendosjen me dhunë të grave dhe fëmijëve në korrik të vitit 1995.

Ata u akuzuan së bashku me Mile Kosoriq dhe Momcilo Tesiq, gjyqi i të cilit në Sarajevë filloi në qershor.

Prokuroria e krimeve të luftës në Bosnje gjithashtu akuzoi Svetozar Kosoriq në vitin 2016 se ndihmoi gjenocidin në Srebrenicë duke gjetur vende për burgimin e përkohshëm dhe ekzekutimin e burrave boshnjakë dhe më pas ndihmoi në organizimin e transportit të grave dhe fëmijëve.

Kosoriq është banor i Serbisë edhe pse ai është shtetas boshnjak, sipas prokurorisë boshnjake të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ministri i Brendshëm i kohës së luftës i entitetin e Republikës Srpska, Tomislav Kovaq, u akuzua gjithashtu për gjenocid në vitin 2017.

Sipas aktakuzës, njësitë policore nën komandën e Kovaçit morën pjesë në kapjen e burrave dhe djemve boshnjakë, burgosjen e tyre, transportimin dhe ekzekutimet masive në disa vende.

Sidoqoftë, Kovaç nuk u paraqit për seancat, pasi ai u zhvendos në Serbi, ku gjithashtu ka nënshtetësinë e këtij vendi.

Murat Tahiroviq nuk është optimist për të ardhmen, duke thënë se bashkëpunimi midis Sarajevës dhe Beogradit është zvogëluar dukshëm gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit.

“Ju mund të thoni se ka bashkëpunim në formën e miqësisë midis prokurorëve të Serbisë dhe Bosnjës, ata ulen e pinë kafe bashkë, por nuk ka bashkëpunim real,” tha Tahiroviq.

BIRN kontaktoi prokuroritë e Bosnjës dhe Serbisë për koment, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.

Drejtësia në Serbi e ngadaltë për viktimat e Srebrenicës

Gjykata Speciale Beograd. Foto: BIRN.

Një anëtar i Detashmentit të 10-të të Zbulimit u dënua nga një gjykatë serbe, por kjo ishte rezultat i një ujdie për fajësinë dhe dënimi i lehtë i bëri prokurorët boshnjakë të ndiheshin keq.

Ish-ushtari Brano Gojkoviq u dënua me 10 vjet burg në vitin 2016, pasi pranoi se mori pjesë në ekzekutimin e 800 boshnjakëve nga Srebrenica, në një incident që prokuroria e krimeve të luftës e Bosnjës e quajti “një nga ekzekutimet më të ashpra gjatë gjenocidit të Srebrenicës”.

“Ne jemi sidomos të pakënaqur që Gojkoviq nuk dëshmoi brenda marrëveshjes së tij për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshja për pranimin e fajësisë u bë menjëherë pasi Bosnja paraqiti një kërkesë ekstradimi. Familjet e viktimave të Srebrenicës kanë thënë gjithashtu se nuk janë të kënaqur me dënimin,” tha prokuroria boshnjake në një deklaratë.

Ajo shtoi se gjykimi i Gojkoviqit para një gjykatë boshnjake do të kishte “kontribuar në drejtësi” sepse anëtarë të tjerë të Detashmentit të 10-të janë dënuar me disa dekada burg në Bosnje.

Gojkoviq është i vetmi që është dënuar për krime në Srebrenicë nga një gjykatë serbe, përveç katër anëtarëve të njësisë Akrepat – Slobodan Mediq, Branislav Mediq, Pero Petraseviq dhe Aleksandar Mediq – të cilët u dënuan për vrasjen gjashtë boshnjakëve, vrasjen e të cilëve gjithashtu e filmuan.

Aktualisht ka vetëm një gjyq për krime që kanë lidhje me Srebrenicën para gjykatave serbe – gjyqi për masakrën në fshatin Kravica, ku mbi 1,300 boshnjakë u vranë në një magazinë bujqësore në korrik të vitit 1995.

Nedeljko Milidragoviq, Aleksa Golijanin, Milivoje Batinica, Aleksandar Daceviq, Bora Miletiq, Jovan Petroviq, Dragomir Paroviq dhe Vidosav Vasiq akuzohen për kryerjen e një krimi lufte duke vrarë të burgosurit boshnjakë të kapur pasi Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës.

Prokuroria boshnjake më parë nisi padi për gjenocid kundër Milidragoviqit dhe Golijanin, por nuk arriti t’i arrestonte ata sepse ata kanë jetuar në Serbi që nga përfundimi i luftës në Bosnje në vitin 1995.

Familjet e viktimave që vijnë në Serbi për seancat dëgjimore ndihen të zhgënjyera nga procesi. Një përfaqësuese e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, Kada Hotiq, e quajti gjyqin në Gjykatën e Lartë të Beogradit një “cirk”.

“Kjo gjykatë nuk do që kriminelët të gjykohen, përndryshe do t’i kishte rikthyer ata në Bosnje. Por ata gjetën një strehë të sigurt në Serbi, e cila i pret krahëhapur dhe i mbron ata,” tha Hotiq për BIRN.

Burri i saj, i biri dhe dy vëllezër u vranë në gjenocidin e Srebrenicës, së bashku me shumë anëtarë të familjes së saj të madhe.

Tahiroviq ishte gjithashtu kritik ndaj gjyqit të Kravicës, i cili nisi në vitin 2017 dhe që prej asaj kohe ka pësuar vonesa të shumta duke thënë se prokuroria serbe po i trajton çështjet që ka marrë përsipër nga Bosnja “në një mënyrë tragji-komike”.

“Rasti i Kravicës vonohet n çdo mënyrë të mundshme, sikur ata nuk duan që ta mbarojnë kurrë atë,” tha Tahiroviq.