Të Dielën Marsh për Astrit Deharin

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi zhvillimin e një marshi protestues të dielën, ditën kur bëhet një vit nga vdekja e Astrit Deharit.

“Të dielën, ju ftojmë të marshojmë dhe protestojmë bashkërisht për t’i bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve shtetërore që të marrin urgjentisht përgjegjësitë e tyre për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

Vetëvendosje më tutje në njoftim konstaton “se institucionet përgjegjëse nuk e kanë mundësuar një hetim të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm, që do t’i zbardhte rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së tij”.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.

Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën obligonte qeverinë e vendit që t’i heqë të gjitha shpenzimet për një ekspertizë ndërkombëtare pë vdekjen e Astrit Deharit, sipas kërkesës së familjes së tij.

Krejt Çka Ndodhi në Seancën për Astrit Deharin

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të këtij viti thanë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Ekspertë nga Zvicra Pritet ta Hetojnë Vdekjen e Deharit

Qeveria në mbledhjen e saj më 13 tetor 2017 dha 50 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e ekspertizës.