Gjykimi i 39 të akuzuarve - Foto: KALLXO.com

Të Akuzuarit S'i Zë Gjykata, Seanca Mbahet në Sallën e Asamblesë Komunale

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe avokatëve të tyre, seanca fillestare në rastin e ish-kryetarit tët Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve të tjerë, është mbajtur në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon 39 të akuzuarit me veprat penale – krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.

I pyetur nëse ndihet fajtor për veprën që i ngarkohet, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit u deklarua i pafajshëm. “ Jo, nuk e pranoj fajësinë”, tha Qemajl Mustafa.

Edhe 38 të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm.

Të gjithë avokatët e të akuzuarve paralajmëruan se me shkrim do të parashtrojnë kundërshtimin e provave dhe do të kërkojnë hedhjen e aktakuzës.

Kurse me pëlqimin e të gjitha palëve, aktakuza prej 22 faqesh  nuk u lexua gjatë seancës nga prokurori i rastit, Agron Bajrami.

Para kësaj disa avokatë të akuzuarve u ankuan se nuk e kanë aktakuzën dhe nuk i kanë siguruar të gjitha provat nga prokuroria.

Prokurori  tha se provat dhe shkresat e lëndës u janë dorëzuar të gjitha palëve, kurse 26 prej tyre kanë ardhur për t’i marrë, ndërsa pjesa tjetër tha se mund t’i marrë pas seancës.

“Ju kemi siguruar sërish provat dhe shkresat tjera të rastit, ku 26 nga tani të akuzuarit kanë ardhur dhe i kanë marr provat tjera, kurse tjerët nuk kanë ardhë m’i marr. Sidoqoftë për pjesën tjetër që nuk kanë ardhë m’i marrë provat, i kemi sjell me vete dhe mund t’i marrin tani ose pas përfundimit të kësaj seance”, tha prokurori Bajrami.

Aktakuza iu dorëzua nga gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj, disa prej avokatëve të akuzuarve të cilët u ankuan se nuk e posedojnë atë.

Bashkë me ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafën, për të njëjtat akuza me të cilat ai ngarkohet, po akuzohen edhe Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Iljaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi,Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim  Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Nazim Jashari.

Për krim të organizuar lidhur me veprën e keqpërdorimit në ekonomi, të akuzuar në këtë rast janë edhe Basri Kqiku, Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skënder Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani, dhe Asllan Syla.

Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të kaluar.

Pjesë e kësaj aktakuze përpos zyrtarëve të Komunës së Gjilanit janë edhe disa biznesmenë.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ish kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.

Të gjitha raportimet e mëparshme mund t’i gjeni në këtë link.