Gjykimi per kontrabandim me migrantë - FOTO KALLXO - 29.11.2018

Të akuzuarit për kontrabandim me migrantë i mohojnë akuzat e prokurorisë

Në kohën kur Kosova po përballej me ikjen e madhe të qytetareve nga vendi, Beqir Hasani, Ramazan Hasani dhe Kushtrim Veseli akuzohen se tentuan të kontrabandonin me migrant.

Ata akuzohen që së bashku janë marrë me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që i akuzuari Kushtrim Veseli ishte marrë vesh me Ramazan Hasanin që babai i këtij të fundit, Beqir Hasani t’i transportojë me veturë në mënyrë ilegale jashtë shtetit tre të dëmtuarit B.I., E.S. dhe B.Xh.

Sipas aktakuzës në pikën kufitare në Merdare në dalje të Republikës së Kosovës, derisa i akuzuari Beqir Hasani ka qenë duke i transportuar me veturën ‘Golf’ me targa zvicerane, të dëmtuarit janë ndaluar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me këto akuza.

https://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-per-akuzen-e-tentatives-se-kontrabandimit-me-migrante/

Në mbrojtjen e tij i akuzuari Kushtrim Veseli deklaroi se nga i akuzuari Beqir Hasani kishte kërkuar që gruan e nipit të tij ta dërgonte për shërim në Beograd, e jo me qëllim kontrabandimi.

“Isha duke pirë kafe me Ramazanin, ai rastësisht me tregoj që pas disa ditëve prindi i tij Beqiri do të kthehej për në Zvicër, dhe dy ditë më pas u takova me një nip timin i cili me tha qysh me ja bo me qu gruan për shërim në Beograd. Mua mu kujtua dhe i thash që asaj rruge ka mi ra baba i shokut tim, ato ditë e pyes shokun se a pranon babi yt me marr gruan e nipit deri në Beograd, pasi biseduam ai me tha nuk është problem dhe Beqiri tha se pasi e kam atë rrugë mund t`i marrë për çështje bamirësie”, deklaroj i akuzuari Veseli.

Ndërsa në mbrojtjen e tij Beqir Hasani tha se nuk i ka ditur qëllimet e personave që kishte në makinë.

“Unë që 34 vite jetoj në Zvicër, kam kompaninë time, kur desha të kthehem për në Zvicër nga Kosova djali im Ramazani me tha a po i merr deri në Beograd këta persona. Unë për çështje bamirësie i mora, nuk kam marrë para nga ta, përkundrazi ua dhashë 50 euro për shkak se nuk kishin për të ngrënë bukë, nuk e kam ditur qëllimin e tyre”, deklaroi i akuzuari Beqir Hasani.

Sikurse të akuzuarit Kushtrim Veseli dhe Beqir Hasani edhe i akuzuari Ramazan Hasani deklaroj se qëllimi ka qenë bamirësia.

“Më kujtohet që pas takimit me Kushtrimin i kam thanë babës a ke mundësi mi marr do të afërm të një shokut deri në Beograd se nuk i kanë kushtet e mira dhe s`po kanë mjet udhëtimi deri atje, pastaj babai me tha pasi që janë të afërm të shokut tënd i marr se nuk më banjë rënd”, tha i akuzuari Hasani.

Ndërsa në fjalën përfundimtare, prokurorja e shtetit Bukurie Xhonbalaj, kërkoi që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit për veprën që i ngarkon.

“Mbes në tërësi pranë aktakuzës dhe deklaroj se nga provat e administruara dhe thëniet e dëshmitarëve është vërtetuar se të akuzuarit kanë tentuar të kontrabandojnë me migrant. Konsideroj se fjalët e të akuzuarve sot duhet të hedhen si të pa bazuara sepse këto deklarata janë kontradiktore me njëra tjetrën, dhe në fund i propozoj gjykatës që të njëjtit t`i shpallë fajtorë dhe t`i dënoj sipas ligjit”, tha Prokurorja Xhonbalaj.

I akuzuari Kushtrim Veseli në fjalën e tij përfundimtare i kundërshtoi fjalët e prokurores dhe kërkoj të lirohet nga këto akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramazan Hasani, avokati Nikë Shala, kërkoj nga Gjykata që në mungesë të provave të jepet aktgjykim lirues.

“Me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit tim, andaj në mungesë të provave konsideroj se i vetmi aktgjykim i drejtë do të ishte aktgjykimi lirues për të mbrojturin tim”, tha Shala.

Sikurse avokati Shala, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Beqir Hasani, avokatja Mimoza Shala kërkoi aktgjykim lirues.

“Prokuroria me asnjë provë të vetme nuk ka arritur ta vërtetoje se i mbrojturi im ka kryer veprën penale me të cilën po ngarkohet. Gabimisht po akuzohet personi i cili ka bërë një veprim human, në bazë të shkresave të lëndës i vetmi vendim i drejt dhe ligjor do të ishte një aktgjykim lirues”, tha avokatja Shala.

Pas fjalës përfundimtare, trupi gjykues i përbërë prej gjyqtarëve Valbona Selimi, Naime Jashanica dhe Vesel Ismaili e shpalli të përfunduar çështjen penale dhe njoftoi që shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’