Seanca gjyqesore ndaj të akuzuarve Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejavoniq - FOTO KALLXO

Të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejavoniq nuk paraqiten në Gjykatën e Gjilanit

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor për shkak se munguan të akuzuarit Sasha Mirkoviq  dhe Zharko Dejavoniq.

Prokurori i Shtetit Arben Ismajli, i propozoj gjykatës që të lëshoj masën e urdhër-arrestit për sjellje me dhunë për faktin se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar me kohë për shqyrtimin e sotëm gjyqësor, dhe mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, të akuzuarit Sasha Mirkoviq, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të komunë së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Kuvendit komunal të Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personin Dardan Novosella, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare.

Në këtë mënyrë sipas aktakuzës pa i përfillur procedurat ligjore, kanë nxjerrë vendimin nr. 2061/2 dhe ia kanë dhënë në shfrytëzim – qera ngastrën kadastrale me nr. P. 73701026-00974-44 me sipërfaqe, 22.56m katror ZK, Kllokot për periudhë 10 vjeçare, Q.M.F.R, “Banja Nëna Naile” në Kllokot, pronë e Dardan Novosella, në shume prej 550 euro, për të cilën me datë: 15.05.2013, nuk është paguar dhe inkasuar qeraja, në këtë mënyrë buxhetit të komunës së Kllokotit i kanë shkaktuar dëme materiale, prej: 7 mijë e 700 euro.

Trupi Gjykues i përbërë nga Agim Ademi kryetar me anëtarët Zyhdi Haziri dhe Boban Aleksiq, morën aktvendim që në mungesë të të akuzuarve seanca e sotme të shtyhet dhe seanca e radhës u caktua të mbahet për datën: 15 Nëntor, ora 13:00.