Taksisti nga Mitrovica i akuzuar për vrasje në tentativë nuk paraqitet në gjykatë

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurit Ramadan Fejzullahu.

I njëjti nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës po akuzohet se në prill të vitit 2016, afër palestrës së sporteve “Minatori” kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Enver Latifi.

Bazuar në aktakuzë të lartcekurit kishin punuar me “Taksi Kombi”. Ndërsa, pas një fjalosje që kishin pasur rreth udhëtarëve i pandehuri Ramadan Fejzullahu kishte hyrë në automjetin e të dëmtuarit Enver Latifi dhe kishe filluar ta godas me thikë në pjesën e epërme të trupit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Në seancën e paraparë të mbahej dje, në gjykatë nuk ishte paraqitur i pandehuri Ramadan Fejzullahu.

Gjyqtari Burim Ademi ka njoftuar palët tjera prezentë se i njëjti ishte ftuar me ftesë të rregullt, por nga fletëkthesa rezultonte se në të kishte një nënshkrim vetëm me iniciale të cilat nuk kishin qenë të të pandehurit.

Andaj pa prezencën e të akuzuarit nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 22 tetor.