Foto: Kallxo.com

Taksisti del në gjyq për 50 euro të falsifikuara

I akuzuari për falsifikim të parasë doli sot para gjyqit për ta mohuar fajësinë në akuzën për të cilën ngarkohet.

Pal Hajdaraj nga Gjakova akuzohet nga prokuroria se në dhjetor të vitit të kaluar i kishte dhënë një personi një bankënotë e cila më vonë u vërtetua se ishte e falsifikuar.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Hajdaraj, një taksist lokal, këtë e kishte bërë gjatë kohës sa po e transportonte tashmë të dëmtuarin Isa Mustafa.

Ai kishte kërkuar nga Mustafa që “t’ia bëjë të imëta” bankënotën prej 50 euro.

Që kjo bankënotë ishte e falsifikuar, Isa Mustafa e kishte kuptuar kur kishte shkuar për të blerë në një market në Gjakovë.

Por Hajdaraj, para gjyqtarit Shaqir Zika e mohoi fajësinë.

“Unë jam i pafajshëm sepse nuk e kam ditur që ato para janë false”, tha i akuzuari Pal Hajdaraj.

Por Prokuroria, përmes aktakuzës, pretendon se Hajdaraj këtë e ka bërë duke qenë në dijeni për paranë e falsifikuar.