Mallra në një supermarket - Foto: REL

Taksat ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjës po rrisin çmimet në Kosovë

Barrierat ekonomike që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë që nga nëntori i vitit 2018 po dëmtojnë konsumatorët e vendit duke detyruar rritjen e çmimeve, sugjeron një analizë e fundit.

 

Kosova do të shohë një rritje çmimesh dhe një reduktim të përgjithshëm të fuqisë blerëse si rezultat i taksave të larta që ajo ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnja, paralajmërojnë ekspertët.

Një vlerësim i kohëve të fundit nga Veritas Global, një kompani zvicerane që ofron shërbime ekonomike, pohon se për shkak të kësaj rënieje të konsiderueshme në fuqinë blerëse, qytetarët kosovarë do të blejnë më pak mallra.

Ai thotë se fuqia blerëse do të bjerë me 6.4 për qind në vit. Në terma monetarë, kostoja do të jetë 149.8 milion euro në vit.

FMN pajtohet. “Kjo tarifë ka rritur çmimet e konsumit, sidomos të produkteve ushqimore, duke ndikuar në ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta dhe ka dobësuar llogarinë rrjedhëse të jashtme të Kosovës,” vlerësoi një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Stephanie Eble që vizitoi Prishtinën në qershor për të parë zhvillimet ekonomike dhe perspektivat ekonomike të Kosovës.

Këto rezultate i atribuohen faktit se Kosova ka dështuar të zëvendësojë mallrat e tarifuara dhe të rrisë prodhimin e saj vendas, gjë që konfirmohet edhe nga një studim i Institutit GAP në Kosovë.

Në afat të shkurtër, çmimet në Kosovë pritet të rriten me 24.8 për qind dhe në afat të mesëm me një të tretën e çmimit aktual.

“Si një territor me një infrastrukturë relativisht të dobët logjistike dhe një treg të vogël të brendshëm, do të jetë e kushtueshme që Kosova të gjejë zëvendësues për importet e Serbisë,” tha George Anjaparidze, Drejtor Ekzekutiv i Veritas Global.

Kompanitë vendase pritet të ndjejnë ndikimin e kostove më të larta logjistike, pasi Kosova ka një infrastrukturë tranziti më pak të zhvilluar, si dhe konkurrencë më të ulët.

Çmimet ndikohen gjithashtu nga kostot e kërkimit dhe të kalimit, ku importuesit ndryshojnë furnizuesit dhe krijojnë kontrata të reja, si dhe nga vonesa dhe ndërprerja, pasi importuesit vendas duan kohë për t’u përshtatur me imponimin e paplanifikuar të taksave të importit.

“Ndërsa humbja mesatare e fuqisë blerëse prej 6.4 për qind nuk mund të tingëllojë si shumë e lartë, ajo është e barabartë me 23 ditë konsum më pak në vit. Për më tepër, ne presim që familjet me të ardhura të ulëta të ndikohen më së shumti, sidomos për shkak të çmimeve më të larta ushqimore,” tha Anjaparidze.

“Sfida kryesore për ekonominë e Kosovës është arritja e rritjes më të lartë të sektorit privat dhe eksportit,” tha misioni i FMN-së.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një tarifë prej 10 për qind për mallrat serbe më 6 nëntor 2018, duke cituar “sjelljen negative” të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe fushatën e saj ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Vendimi për ta rritur ndjeshëm këtë deri në 100 për qind u mor më 21 nëntor, një ditë pasi Kosova nuk arriti të siguronte mbështetjen e dy të tretave të 192 vendeve anëtare të Interpolit për t’u bashkuar me organizatën ndërkombëtare të policisë, një dështim për të cilin ajo fajësoi lobimin serb.

Që atëherë, kryeministri Ramush Haradinaj është përballur me presion ndërkombëtar për të hequr taksat e importit.