Forumi i Bratisllaves, 07.06.2019

Taksa ndaj Serbisë, Thaçi e Vuçiq përplasen në Sllovaki

Pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaci në fjalën e tij në Forumin e Bratisllavës tha se Serbia e ka kushtëzuar dialogun me Kosovën, atij i ka reaguar homologu serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se Kosova e ka bërë një gjë të tillë pasi ka vendosur taksë 100 për qind për produktet serbe.

“Thaçi tha se ne kemi vendosur taksë për shkak të agresivitetit të Serbisë, por ajo çfarë ne jemi duke bëre është puna jonë, dhe ne jemi duke luftuar anëtarësimin Kosovës në Interpol dhe UNESCO sepse ne nuk e njohim Kosovën dhe nuk e  shohim si shtet i pavarur. E vetmja gjë është që ne nuk pajtohemi me statusin e Kosovës. Pikë”, tha presidenti serb.

Tutje Vuçiqi ia përmendi Thaçit se disa ditë para se është vendosur taksa, ai i kishte thënë se ajo do të largohet.

“Ata çfarë po veprojnë, kanë vendosur taksën 100% mbi mallrat tona, pas disa ditësh ai më ka thënë se do ta heqin këtë taksë dhe tani ai deklaron ndryshe dhe vendosja e kësaj takse është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s”, tha Vuçiq.

Tutje presidenti serb u shpreh se nëse taksa hiqet, dialogu do të vazhdojë menjëherë.

“Nëse taksa largohet ne do ta fillojmë dialogun menjëherë, unë mund të them se jemi të gatshëm të fillojmë menjëherë ashtu siç kam deklaruar disa herë”, tha Vuçiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në në këtë forum ka deklaruar se Serbia po e kushtëzon dialogun.

“Nuk mund të ketë dialog nëse Serbia vendos kushte ashtu siç po bënë tani. Po ashtu nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë ndaj Kosovës duke bërë përpjeke për ndalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL”, tha Thaçi.