Takohen Xhaferi e Ruçi, shqetësime për tensionet Serbi- Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka deklaruar në Shkup se Shqipëria mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por ka theksuar edhe nevojën e realizimit të të drejtave të popullatës shqiptare.

Ruçi në takimin me kryeparlamentarin Talat Xhaferi ka biseduar edhe për zhvillimet në rajon, me theks për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast dy kryeparlamentarët theksuan nevojën për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut.

“Përshëndetëm arritjet e Marrëveshjes së Prespës (Marrëveshja me Greqinë për emrin) dhe të gjitha përpjekjet që po bëhen në drejtim të ndërrimit të emrit, që do t’i hapë rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE. I garantova kryetarit të Kuvendit mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Sigurisht një vend të rëndësishëm. zuri situata në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast nënvizuam se rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve është dialogu. Shprehën shqetësimin e përbashkët për rritjen e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria dhe Maqedonia po japin kontribut stabilizues për gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor”, ka deklaruar kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi tha me homologun e tij nga Shqipëria kanë biseduan për proceset në Maqedoni për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë, bashkëpunimin mes dy vendeve, por edhe proceset në rajon.

“Si dy vende fqinje bashkëpunojmë edhe në drejtim të integrimit të vendit në BE dhe NATO. Bashkë konstatuam se vetëm me dialog mund të përmbyllen çështjet e hapura me fqinjët dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen problemet”, deklaroi kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Kryeparlamentari shqiptar gjithashtu ka përshëndetur miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike duke inkurajuar institucionet që të punojnë në jetësimin e tij, duke aluduar me këtë rast në presidentin maqedonas, Gjorge Ivanov që refuzon ta dekretojë atë.

“Pa diskutim ashtu sikurse do ta informoj presidentin për përpjekjet e Parlamentit shqiptar për pakicat, do të kërkoj që të njëjtën edhe për popullatën shqiptare në Maqedoni. Do të inkurajoja çdo përfaqësues të shtetit të Maqedonisë që të japë kontributin institucional për realizimin e saj”, deklaroi Ruçi.