Hyrja e Shërbimit Social të Bashkisë Lezhë | Foto nga : Vladimir Karaj

Takimi i zyrtarëve nuk ofron asnjë zgjidhje për tri motrat e abuzuara seksualisht

Katër ditë pas publikimit të një shkrimi nga BIRN, i cili denonconte abuzimin seksual me tri motra me probleme mendore në qytetin e Lezhës, prefekti i Lezhës thirri në një takim të cilësuar “urgjent” Komitetin Rajonal Anti- Trafik.

Por informacioni dërguar Zyrës Operacionale të Situatës (ZOS) pranë qeverisë, të cilin BIRN e disponon, nuk ndryshon shumë nga tryezat teknike të njoftuara si të mbledhura më herët.

Asnjë nga institucionet nuk ka propozuar zgjidhje dhe as ka marrë përgjegjësi, ndërsa policia thotë se as pas këtij takimi nuk ka nisur hetime për abuzimin, duke thënë se “nuk kishte kallëzim”.

Në informacionin drejtuar ZOS nga Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjergj Prendi, bëhet një përmbledhje e situatës, që siç pranohet aty është e njohur prej vitit 2016 dhe thuhet se institucioneve, Shërbimit Social pranë Bashkisë Lezhë, Shërbimi Social Shtetëror dhe poilicisë u ishin lënë disa detyra.

Por informacioni pranon se të paktën Bashkia Lezhë “nuk mori përgjegjësitë e duhura”, ndërsa detyra ngarkuar policisë që “të mbajë nën kontroll të vazhdueshëm lagjen ku banon familja” nuk adreson mos hetimin e deri tanishëm të abuzimit ndaj tre motrave.

Bashkia Lezhë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të komentuar qëndrimin e prefektit. Gjatë takimit, përfaqësuesi i bashkisë ka thënë se ajo nuk i kishte mundësitë për të strehuar tre motrat dhe as për ruajtjen e tyre.

E kontaktuar nga BIRN pas takimit, Policia e Lezhës tha se nuk kishte kallëzim dhe për rrjedhojë nuk kishte as hetime mbi rastin në fjalë.

http://kallxo.com/tri-motra-me-probleme-mendore-ne-lezhe-abuzohen-seksualisht/

BIRN gjeti në një shkrim të pak ditëve më parë se tre motrat e lëna pa kujdestari ligjore dhe në situatë rruge ishin abuzuar seksualisht prej vitit 2016. Një nga motrat kishte lindur një fëmijë për shkak të abuzimit, një tjetër ishte shtazanë dhe njëra prej tyre kishte abortuar.

Megjithëse në dijeni të situatës, institucionet përgjegjëse ia linin faji njëra tjetrës, ndërsa nuk kishte as hetime për të ndaluar abuzimin. (reporter.al)