Presidenti Hashim Thaçi në takim me delegacionin e AKB-së - Foto: Facebook

Takimi i 'Gabuar' i Presidentit me Shefin e Bizneseve

Agim Shahini e ka mbuluar me lëvdata Presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin, për punën në kohën kur ky ka qenë kryeministër, ndërkohë që ka kritikuar shefin aktual të Qeverisë, Isa Mustafa, për “stagnim në reformat ekonomike”, të cilat, sipas tij, gjatë vitit të kaluar kanë rezultuar me mbylljen e shumë bizneseve në Kosovë.

Këto lëvdata e kritika Shahini i ka bërë më 28 prill në një takim me të parin e vendit, të cilin e ka vizituar bashkë me një delegacion të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), kryetar i të cilës është.

Mirëpo, është dikush që habitet se si Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur në takim delegacionin e kryesuar nga Shahini.

“Po çuditem si e ka pranuar AKB-në në takim kur kjo Aleancë ligjërisht nuk ekziston sepse nuk ka bord. Agim Shahini është duke e udhëhequr AKB-në me familjen e vet në emër të bizneseve”, ka thënë për KALLXO.com Burim Piraj, ish-nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, pozitë nga e cila ka dhënë dorëheqje në mars të këtij viti për shkak të siç ka thënë ai “keqpërdorimeve e parregullsive brenda kësaj Aleance”.

Por, i kontaktuar rreth kësaj çështjeje nga KALLXO.com, Agim Shahini ka thënë se Aleanca Kosovare e Biznesit është duke funksionuar me bordin e vjetër.

Për të hedhur poshtë pretendimin e Pirajt, në ditën kur u kontaktua, Shahini për të konfirmuar se AKB është duke funksionuar “normalisht” paralajmëroi mbajtjen në ditët në vijim të kuvendit të radhës.

Se puna nuk është mirë lidhur me AKB-në, Burim Piraj ka thënë se për arsye që ai nuk i di, Shahini nuk ka pasur raporte të mira me ish-Presidenten Atifete Jahjagën e nuk ka as me Qeverinë e Isa Mustafës.

“Ish-Presidentja Atifete Jahjaga asnjëherë nuk e ftoi në takim AKB-në, përderisa Agim Shahini asnjëherë nuk u takua me kryeministrin Isa Mustafa”, tha ai.

“Që nga viti 2014 sa kam qenë nënkryetar i AKB-së asnjëherë Presidentja Atifete Jahjaga nuk na ka ftuar në takime. Bile në takimin e fundit lamtumirës i ka ftuar të gjitha odat ekonomike dhe botën e biznesit ndërsa AKB-në e ka përjashtuar nga ky takim”, thotë Piraj.

Piraj theksoi se disa herë ka kërkuar nga Agim Shahini që t’i bëjë ftesë dhe të takohet me Isa Mustafën, në mënyrë që të paraqiten problemet e botës së biznesit, por ai asnjëherë s’e ka marrë mundin të kërkojë takim. “Ndërsa një herë të vetme kur jemi ftuar si AKB, kam shkuar unë si përfaqësues. Nuk e di cili ka qenë problemi personal mes Shahinit dhe kryeministrit Mustafa”, ka thënë  Piraj për KALLXO.com.

Në lidhje me raportet e tij me Isa Mustafën, Shahini thotë se janë raporte të nivelit zyrtar dhe se nuk ka asgjë personale me Kryeministrin. “Nuk ka rastisur që kohën e fundit të ketë ndonjë takim zyrtar të caktuar nga Qeveria”, theksoi ai.

Në takimin e 28 prillit, Agim Shahini e ka mbuluar me lëvdata Presidentin Thaçi për kohën kur ky ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

Shahini i ka thënë ndër sy Thaçit se sa ka qenë kryeministër ka dhënë një kontribut të madh për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë, sidomos të prodhimeve vendore. “Keni marrë shumë iniciativa sfiduese për vet shtetin, për të mirë të popullit, dhe për të mirë të biznesit. Kjo na ka bërë që ne të rritemi”, ka thënë ai.

Më pas, kryetari i AKB-së ka adresuar kritika në adresë të Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

“Në vitin që e lamë pas, në historinë e bizneseve të Kosovës janë mbyllur më së shumti biznese, për shkak se trendi i reformave ka stagnuar”, tha Shahini.

Në prononcimin për KALLXO.com, Agim Shahini reformat në ekonomi i sheh si trend negativ për faktin, sipas tij, të mbylljes së 2,300 bizneseve në vitin 2015. “Politikat fiskale janë vetëm kozmetike, aspak nuk e kanë ndihmuar biznesin, nuk ka pasur kurrfarë ndihmese nga Qeveria në vitin 2015 për hapjen e ndonjë vendpunishte apo ndihmë tjetër për biznesin”, theksoi ai.

Ndërsa, nikoqiri i takimit të 28 prillit Presidenti Thaçi kishte theksuar se prioritet e ka zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ai premtoi se si president do të ketë prioritet që institucionet e Kosovës të thellojnë partneritetin me botën e biznesit si “parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, për të hapur vende të reja të punës, për të rritur mirëqenien sociale të qytetarëve”.

Presidenti tha se do të fokusohet në prioritetet e tij për rend dhe ligj, që sipas tij janë kusht i domosdoshëm për zhvillim ekonomik. Më tej, Thaçi kishte thënë se beson që fillimi i MSA-së do të krijojë kushte më të mira për punë dhe biznesin e Kosovës.

I shpallur “Doctor Honoris Causa” për ekonomi dhe diplomaci nga Akademia Botërore e Paqes, Agim Shahini, më 2012 është përballur me aktakuzë dhe kallëzim penal nga “TEB Bank” për shkak mospagesës së kredive që i kishte marrë për bizneset private të cilat i kishte pasur së bashku me familjarët e tij.

Agim Shahini Akuzohet për Mashtrim