Edita Tahiri - Foto: Facebook

Tahiri: Me Serbinë nuk Flasim për Pasurinë Tonë

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i ka quajtur “fushatë politike” deklarimet e sotme të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në veri të vendit.

Në një bisedë për KALLXO.com Tahiri ka  mohuar çdo mundësi që për “Trepçën” të diskutohet në Bruksel duke thënë se kjo “vijë e kuqe” i është bërë e qartë kryeministrit të Serbisë çdo herë që ai ka kërkuar që në tryezë të diskutimeve të vihet kjo çështje.

“Qëndrimet tona lidhur me “Trepçën” dhe asetet shtetërore të Kosovës i kemi bërë të qarta në Bruksel. Për pasuritë e Kosovës sovran është shteti i Kosovës dhe populli i Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ajo madje i ka quajtur elektorale premtimet e Vuçiqit se Serbia do të investojë në “Trepçë” dhe në ndërtimin e një fabrike të akumulatorëve në Zveçan.

“Mediat e kanë të qartë se kur ka fushata ka edhe deklarata iluzore për qëllime marketingu politik. Serbia nuk mund të ndërtojë asgjë në Kosovë, Serbia e ka dëmtuar Kosovën gjatë luftës dhe atë që duhet të bëjë është t’i bëjë kompensimet e dëmeve, të kërkojë falje dhe ta njohë pavarësinë”, ka thënë ministrja Tahiri.

Duke folur për propozimin e Vuçiqit që liqeni i Ujmanit të menaxhohet së bashku, Edita Tahiri e ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se “Trepça”, Ujmani dhe pasuritë e tjera të Kosovës nuk janë të negociueshme.

“Serbia duhet të bëhet gati ta njohë Kosovën. E kam thënë disa herë. Por, më erdhi mirë që edhe zonja Lunaçek e bëri të qartë: Serbia pa fqinjësi të mirë dhe pa e njohur Kosovën nuk mund të jetë pjesë e BE-së”, theksoi ajo.

Sipas saj, kryeministri Vuçiq nuk ka nevojë që këtë fushatë ta përdorë për të krijuar konfuzione në çështjet për të cilat ne e kemi qëndrimin e prerë dhe të qartë.

Tahiri ka folur edhe për ankesën e kryeministrit serb ndaj vonesave në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne ia kemi bërë të qartë Brukselit që Serbia po e shkelë Marrëveshjen për kodin telefonik, si dhe Marrëveshjen që KOST-i të fillojë funksionimin në Transmisionin Evropian. Këto dy marrëveshje janë duke u shkelur dhe përderisa Serbia nuk fillon t’i kryejë obligimet në lidhje me këto dy marrëveshje nuk mund të bisedohet për tema të tjera, përfshirë edhe Asociacionin”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka sqaruar se statuti i Asociacionit ende nuk ka filluar të hartohet përderisa ka theksuar se edhe BE-ja, edhe Serbia e kanë të qartë se Statuti duhet të jetë në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.