Tahiri: Nëntë projektligjet e dërguara në Kuvend janë jetike për reformat në drejtësi

Nëntë projektligje të cilat janë produkt i agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë janë të vendosura në rendin e ditës së seancës së kuvendit të ditës së nesërme e të cilat duhet miratuar në përfundim.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se miratimi i projektligjeve që janë në rend të ditës në seancën e së premtes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është  hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit,  që do të reflektohet në konsolidimin e mirëfilltë të sistemit dhe do të ndikojë drejtpërdrejtë po ashtu edhe në përmbylljen e kapitullit për liberalizimin e vizave.

“Miratimi përfundimtar i projektligjeve si Projekt Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, shënon një shkëputje të rëndësishme në avancimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, duke krijuar një rrethanë të re dhe të domosdoshme që do të prodhojë efekte të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe do të adresojë përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit konform normave më të larta të cilësisë, llogaridhënies dhe integritetit” ka thënë Tahiri, përcjell zyra për informim e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas ministrit, projektligjet janë hartuar mbi bazën e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian dhe mbi bazën e nevojave institucionale për të rritur efikasitetin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të konfiskuar çdo pasuri të përfituar me vepër penale, për të mundësuar llogaridhënie dhe përgjegjshmëri brenda sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial si dhe për të mundësuar mbrojtje të plotë ligjore për qytetarët që ekspozojnë shkelje ligjore brenda sferës institucionale dhe në mbrojtje të interesit publik.

Ministri i Drejtësisë ka ftuar deputetët që në seancën e radhës të miratojnë edhe Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit dhe atyre që ndërlidhen me avancimin e qasjes në drejtësi, siç është ai për Trashëgiminë dhe Noterinë.

“Natyrisht se miratimi i këtyre projektligjeve e përmbyllë edhe kapitullin e liberalizmit të vizave, si shprehje e vullnetit të pa kompromis të shtetit tonë për të garantuar qeverisje me ligj dhe zbatim të mirëfilltë të tyre. Me këtë rast, pres dhe ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të japin mbështetjen e pa rezervë në miratimin përfundimtar të tyre. Konsideroj se me miratimin e këtyre projektligjeve dhe hyrjen e tyre në fuqi, Republika e Kosovës dëshmohet si lider në rajon në gatishmërinë e plotë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin dhe përgjegjësitë publike” ka thënë Tahiri.