Ministri Abelard Tahiri dhe prokurori i specializuar, Jack Smith - Foto: Ministria e Drejtësisë

Tahiri: Kosova e gatshme të përmbush obligimet ndaj Dhomave të Specializuara

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga prokurori i specializuar, Jack Smith, që të gjithë ata që do të paraqiten në Dhomat e Specializuara të trajtohen në bazë të normave dhe standardeve të të drejtave të njeriut.

Ministri Tahiri dhe prokurori Smith nuk preferuan të flasin para mediave në lidhje me atë se çka është diskutuar në takim.

Me anë të një njoftimi, zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet e saja ndaj Dhomave të Specializuara.

Dhomat e Specializuara janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Gjatë takimit, ministri Tahiri kërkoi nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara  në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MD-së.