Tahiri: Është esenciale të ndryshohet ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ndryshimi i ligjit aktual është në veprim esencial sa i përket funksionimit të kësaj gjykate.

“Siç e përmenda më lartë në përshkrimin e kësaj gjykate korniza ligjore aktuale e kësaj gjykate parasheh përbërjen prej dy gjyqtarëve vendor dhe një ndërkombëtar. Duke qenë se gjyqtarëve ndërkombëtar të EULEX-it ju ka përfunduar mandati, ndryshimet në strukturën siç e parasheh ky ligj janë të domosdoshme për të garantuar vazhdimësinë e punës pas largimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë”, tha Tahiri.

Ai ka theksuar se për shkak të kompetencës ekskluzive të kësaj gjykate në çështje që ndërlidhen me AKP puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejtë në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos te shpërndarja e fondeve në mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët, ndërmarrjet shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i RKS.

Çfarëdo vonese në miratimin e këtyre ndryshimeve në projektligj, sipas ministrit Tahiri, ka efekt drejtpërdrejtë edhe në ekonominë e Kosovës.