Takimi mes Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri me shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Alexandra Papadopoulou dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O'Connell- Foto: KALLXO.com

Tahiri e O’Connell Në Mjekësi Ligjore për Rekrutimin e Drejtorit të Ri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se zgjedhja e drejtorit të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore do të jetë fer dhe kandidati që do të marrë këtë pozitë do të jetë i kualifikuar.

Pas takimit me shefen e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Alexandra Papadopoulou dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell dhe drejtorin e tanishëm të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ministri Tahiri tha se instituti ka nevojë që të ketë në krye një drejtor të kualifikuar.

“Si Qeveri e Kosovës jemi të interesuar të ngrisim kapacitetet, si ministër i Drejtësisë jam i interesuar të investoj në kuadro të reja. Ambasada e Britanisë së Bashkuar është e involvuar në rekrutimin e drejtorit, dy herë na ka dështuar procesi shkaku i mungesës së kuadrove. Procesi i drejtorit të Mjekësisë Ligjore do te jetë fer dhe do të vendoset për atë që është më i miri”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Instituti i Mjekësisë Ligjore është një institucion i rëndësishëm, ndërsa falënderoi shefen e EULEX-it, Papadopoulou dhe ambasadorin O’Connell për mbështetje të vazhdueshme.

Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se ndihet mirë në rastin e vizitës, ndërsa shtoi se do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në të gjitha mënyrat.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, tha se mjekësia ligjore luan rol kyç për Kosovën, ndërsa foli edhe për rekrutimin e drejtorit të ri të Mjekësisë Ligjore.

“Ne si qeveri britanike kemi investuar në kapacitet në këtë institucion. Kemi ardhur për të folur për rekrutimin për drejtorin e ri. Procesi do të jetë fer. Ende nuk janë gjetur kandidatë të mjaftueshëm. Ky fakt tregon që Kosova duhet të gjejë një drejtor të mirë nga një fushë e gjerë e kandidatëve. Fakti që është përsërit dy herë, do të thotë që kam vëmendje në ketë konkurs. Ftoj që personat që mendojnë që i plotësojnë kushtet të marrin pjesë në këtë konkurs”, tha O’Connell.

Drejtori i tanishëm i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu u shpreh i kënaqur nga ky takim.

“Sot patëm vizitë nga një divizion i lartë. Jam i kënaqur me lëvizjet e shpejta të ministrit për të marrë mjekësia ligjore kahjen e duhur. Përveç vizitës, Ambasada e Anglisë është shumë aktive në procesin e të zhdukurve”, tha  Gërxhaliu.

KALLXO.com ka shkruar për emërime të zyrtarëve, edhe pse ata nuk janë rekomanduar nga kompania britanike që po përzgjedh zyrtarët e lartë.

http://kallxo.com/pa-pelqimin-britanik-emerohet-sekretari-masht/

http://kallxo.com/ojq-te-reagojne-per-emerimin-politik-te-sekretarit-ne-mti/