Foto: Isa Mustafa/Facebook

Sylejman Selimi viziton Isa Mustafën

Ish-komandanti i UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimi i shoqëruar nga deputeti Anton Quni, kanë vizituar sot kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Këtë e ka bërë të ditur Mustafa në rrjetin social ‘Facebook’.

I pari i LDK-së, ka thënë se kjo vizitë kishte të bënte me gjendjen e tij shëndetësore.

“Sot ishte nder i veçantë për mua dhe familjen time, të më vizitoj ish-komandanti i UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimi i shoqëruar nga deputeti dhe bashkëluftëtari, Anton Quni, i cili u interesua për shëndetin tim”, ka shkruar Mustafa.

Tutje, ai në këtë rast tha se i ka uruar Selimit lirimin e tij, që sipas tij, dha kontribut të rëndësishëm për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Gjeneralit Selimit i shpreha gëzimin tim për lirimin e tij por dhe admirimin për qëndresën e tij burrërore e patriotike gjatë gjithë kësaj periudhe. Si komandant i UÇK-së dhe më vonë në pozita të rëndësishme të larta shtetërore, Gjeneral Selimi dha kontribut të rëndësishëm për çlirimin dhe shtetndërtimn e Kosovës”, thuhet në postimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.