Protesta per lirimin e Selimit e Demakut - FOTO KALLXO

Sylejman Selimi e Jahir Demaku sipas OVL - UÇK-së padrejtësisht po mbahen ne burg

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së me anë të një reagimi për media ka thënë se nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku të mbahen në burg.

“Sjellja e sistemit të drejtësisë ndaj tyre, është veprim i pastër politik dhe degradues për sistemin e drejtësisë në Kosovë”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se për shumë vite janë dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjatë gjithë gjykimit ndaj tyre, janë bërë padrejtësi, dhe po të kishim gjyqësi të mirëfilltë, duhet të ndiqeshin penalisht të gjithë ata që pa asnjë bazë juridike po i mbajnë në burg bashkëluftëtarët tanë. Me këto veprime po dëshmohet edhe njëherë, si shumë herë të tjera, se drejtësia ndërkombëtare vetëm ka përndjekur luftëtarët e UÇK-së”, thuhet në reagim e OVL-UÇK-së.

Më 24 maj 2013 ishte arrestuar gjeneral Sylejman Selimi dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar me 6 vjet burg. Ndërsa, më  7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”.