Sveçla - Thaçit e Veselit: Do të përfundoni edhe humbës dhe palaço

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë se pasi presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli kanë parë që Lëvizja Vetëvendosje është konsoliduar, kanë filluar të angazhojnë aparatin shtetëror të dhunës përmes shpifjeve nëpër Gjykata.

“Ata duan të na shohin në burg, pasi e dinë se ardhja jonë në pushtet do ta çlironte gjyqësorin e Kosovës, për të dënuar përgjegjësit kryesorë të varfërisë e krimeve në Kosovë – pra ata!”, ka thënë Sveçla.

Më tej ai ka shtuar se Veseli e Thaçi po mendojnë që mund ta ndalin Vetëvendosjen me kërcënime por se kjo nuk do të ndodhë. Madje Sveçla tha se dy liderët do të përfundojnë edhe humbës edhe palaço.

“Ata mendojnë se do e ndalin Lëvizjen me kërcënime e me arrestime të orkestruara politike, në mënyrë që të shtrojnë rrugën për krimin më të madh ndaj vendit: copëtimin e Kosovës dhe ringjalljen e “Zajednicës”. Ata kështu po planifikojnë, por plani i tyre ka për t’u rrëzuar bashkë me pushtetin e tyre kriminal. Edhe humbës, edhe palaço. Kështu do të përfundoni”, ka shkruar Sveçla.

Sot është mbajtur seanca për rastin “Syri i Popullit” ku ndër dëshmitarët për këtë rast kanë qenë edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

Madje Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur ishte pyetur se kush janë themeluesit e “Syrit të Popullit”, ka përmendur emrat e Albin Kurtit, Sadri Ramabajës dhe Glauk Konjufcës.

Për dëshminë e Thaçit e Veselit ka reaguar edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

https://kallxo.com/deputeti-i-vetevendosjes-sulm-masiv-mbi-levizjen/