Xhelal Sveçla - Foto: Facebook

Sveçla: Të bëjmë përkthyes e të pakësojmë zv.ministrat

Në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrjen e FSK-së u diskutua për Raportin e Komisionit Europian për Kosovën, ende pa u përkthyer ai.

Pasi raporti nuk është përkthyer ende, anëtari i komisionit Xhelaql Sveçla e pati një propozim.

“Unë kam një propozim qe të zvogëlojë numrin e zëvendësministrave dhe të bëjmë përkthyes”, tha Sveçla.

Deputeti Muharrem Nitaj duke folur për debatin rreth këtij raporti të zhvilluar në Kuvend më 20 prill para se raporti të përkthehej në shqip e serbisht, e cilësoi atë joserioz.

“Shumica e deputetëve kanë qenë si pula në telefon pa kuptuar çka po flasin e debatojnë”, tha Nitaj.

Fjalët e tij nuk i pëlqyen deputetit Rexhep Selimi.

“Vlerësimi i një debati, i një seance parlamentare është i padrejtë nga ana e kolegut sepse ne nuk kemi faj se administrata e Kuvendit nuk e ka përkthy raportin dhe po ashtu ne si deputetë nuk kemi faj për të dhënat në Raport të Progresit”, tha Selimi.

Debati në Kuvend të premten e 20 prillit ishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por Nitaj duke iu përgjigjur kritikave të Selimit, tha se nuk e përmendi grupin parlamentar që thirri debatin.

“E para, unë s’e përmenda fare grupin parlamentar që e ka inicu seancën. Unë s’po flas a kemi të drejtë a jo, po është një rregullore e Kuvendit e cila përcakton thirrjen e seancës pasi të plotësohen kushtet për seancë”, tha Nitaj.

Rexhep Selimi tha më pas se mund të organizohet përsëri debat për Raportin e Komisionit Europian.

“Nëse tek e fundit ne e kemi bërë për ngut bëjeni ju për nge”, tha Selimi.

Për mungesën e përkthimit foli edhe Xhelal Sveçla, ndërsa pastaj Rexhep Selimi shtroi pyetjen se pse atëherë po diskutohet për raportin që ende nuk është përkthyer.

“Atëherë pse po diskutojmë. Edhe sot nuk është dashur ta diskutojmë këtu. Nëse ka pas arsy mos me thirr seancën për këtë pa përkthim atëherë as sot nuk është dashur të diskutohet këtu”, tha Selimi.

Nga diskutimet abstenoi deputeti Zoran Mojsiloviq, për shkak të mungesës së përkthimit.

Pastaj Muharrem Nitaj propozoi që të pritet përkthimi i raportit që komisioni pastaj të diskutojë rreth detyrave të tij në lidhje me këtë raport.

Anëtarët e komisionit u dakorduan që ta presin përkthimin zyrtar të dokumentit.

Edhe gjatë debatit të së premtes në Kuvend, kishte përplasje në lidhje me mungesën e përkthimit.

http://kallxo.com/blerim-kuqi-seance-e-anglishtfolesve/