Svarqa jep detaje për përleshjen në Koshare të Ferizajt

Pas përleshjes fizike që ka ndodhur sonte në kuvendin zgjedhor të LDK-së në fshatin Koshare të Ferizajt, kryetari i degës së kësaj partie në Ferizaj, Muharrem Svarqa ka treguar se si ka rrjedhur ngjarja.

Svarqa për KALLXO.com tha se ai nuk ka qenë prezent në momentin kur ka ndodhur incidenti.

“Në cilësi të kryetarit kam marrë pjesë në këtë kuvend dhe në momentin që është ndërpre kuvendi unë kam dalë edhe ngjarja çka janë zhvillu më vonë nuk e di. Incidentet kanë ndodhur mes anëtareve”, tha ai.

Tutje kryetari i LDK-së në Ferizaj theksoi se nuk ka pasur asnjë arsye për incidentin në fjalë.

“Nuk ka pasur motive por nuk kishte gatishmëri për krijimin e kushteve për konstituimin e kuvendit sipas statutit  dhe tubimin nuk e zgjedh kryetari por kuvendi. Nuk ka pasur mospajtime për kandidatin se s’ka ardhur as deri, ka qenë vetëm fillimi apo sqarimi i procedurave”, thotë tutje Svarqa për KALLXO.com.

Një përleshje fizike ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt gjatë mbajtjes së një tubimi të LDK-së. Në këtë rrahje janë përfshirë disa persona, por janë arrestuar vetëm katër prej tyre.

Si pasojë e lëndimeve në sy, njëri nga personat është dërguar në QKUK për intervenim.

https://kallxo.com/perleshje-fizike-ne-kuvendin-e-ldk-se-ne-koshare-nje-person-dergohet-ne-qkuk/

.