Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Suspendohet njëri nga policët pas incidentit në veri

Inspektorati Policor i Kosovës në një komunikatë njoftoi se suspendoi njërin nga policët që u përfshi në një përleshje me një koleg të tij.

“Si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit penal që po zhvillohet, njëri nga zyrtarët policorë është suspenduar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Ky institucion në komunikatë tregon se incidenti ndodhi në mëngjes në një lokal në Mitrovicën Veriore.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) sot në orët e hershme të mëngjesit ka pranuar një informacion lidhur më përfshirjen e dy zyrtarëve policorë në një incident në mes njëri-tjetrit”, thuhet në komunikatë.

Inspektorati tregon se në incident njëri nga policët ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“Në bazë të informacioneve të para, si pasojë e këtij incidenti njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore (frakturë në hundë) dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet më tutje në komunikatë.

Inspektorati tregon se do të vazhdojë hetimet.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të këtij rasti dhe motivit të incidentit në konsultim me prokurorin kompetent.

KALLXO.com merr vesh se policët e përfshirë në incident janë të Njësisë Speciale Operative (NjSO).

KALLXO.com shkroi sot për incidentin në Mitrovicën Veriore.