Rrethojat e një burgu - Foto: REL/Shutterstock

Suspendohen zyrtarët korrektues pas vdekjes së të burgosurit

Një i burgosur në burgun e Dubravës ka kryer vetëvrasje duke u varur sot në orët e hershme të mëngjesit  ndërsa është  marrë vendim që të suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë deri në përfundimin e hetimit të rastit.

Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës duke treguar edhe për tentimet e mëhershme të këtij të burgosuri  31 vjeçar për vetëvrasje.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin se i paraburgosuri me inicialet I.K, i lindur me 22.11.1987, nga fshati Tërpezë, Komuna e Malishevës është vetëvarur në orët e hershme të mëngjesit të datës 27.08.2018”, thuhet në njoftim.

Sipas SHKK, i paraburgosuri I.K, ishte arrestuar me datë 10.04.2018 dhe ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa në Qendrën Korrektuese në Dubravë, është transferuar me datë 03.07.2018.

Vepra me të cilën ngarkohej ishte vrasje e rëndë në tentativë dhe kishte vazhdim të paraburgimit deri me 08.09.2018

I paraburgosuri I. K, është pranuar në krahun Psikiatrik të stacionarit të Qendrës Korrektuese në Dubravë pas transferit nga Qendra e Paraburgimit në Prizren me datë 03.07.2018. Nga data 30.07.2018 deri me datë 20.08.2018 ka qene i hospitalizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në QKUK, në Prishtinë

Ata thonë se për shkak të vetëlëndimeve dhe tentim-vetëvarjes është trajtuar në vazhdimësi nga mjekët e burgut, psikiatri dhe psikologu. Për rastin janë njoftuar autoritetet kompentente, Prokuroria, Gjykata, Policia e Kosovës si dhe familja e të ndjerit.

Ndërsa Menaxhmenti i lartë i Shërbimit Korrektues dhe Udhëheqësi i Shërbimit Shëndetësor për Burgje nga Ministria e Shëndetësisë, duke kerkuar nje hetim profesional dhe të pavarur mbi përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zyrtarëve përgjegjës , ka marrë vendim që të suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy Infermierë deri në përfundimin e hetimit të rastit.

 

https://kallxo.com/i-vdekuri-ne-burgun-e-dubraves-dergohet-per-obduksion/