Suspendohen Dy Zyrtarë të Inspektoratit Policor

Dy zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), janë suspenduar me vendim të ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të këtij institucioni, nën dyshimin se kanë ndërhyrë në fakte gjatë hetimit të një rasti të korrupsionit.

Sipas njoftimit të IPK-së, të suspenduarit R. B udhëheqës i departamentit të hetimeve dhe Q. B udhëheqës i divizionit jugor të hetimeve, dyshohen se kanë kryer shkelje të rëndë diskredituese, duke shtrembëruar faktet gjatë hetimit të një rasti të ndjeshëm të korrupsionit, pasi me veprimet e tyre kanë insistuar në kthimin e zyrtarit që po hetohet në vendin e tij të punës.

IPK me anë të njoftimit ka thënë edhe se do të veprojë konform ligjit dhe do të ndërmarrë masa të nevojshme sipas procedurave.

“Rasti më tej do të trajtohet nga Ekipi Hetimor dhe Komisioni Disiplinor, të cilët do të zhvillojnë procedurat e parapara disiplinore. Gjithashtu lidhur me këto veprime është njoftuar Prokuroria e Shtetit për të trajtuar dyshimet për veprimtari penale”, thuhet në njoftimin e IPK-së.