Suspendohen Dy Oficerë Doganorë

Dogana e Kosovës ka suspenduar sot dy oficerë të pikës kufitare doganore të Merdares pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, respektivisht për lëshimet e bëra gjatë doganimit të mallrave të importuara.

Kohë më parë, Dogana e Kosovës kishte pranuar informacion nga një qytetar i ndershëm se në degën doganore të Merdares oficerët doganorë dyshohej se po përvetësonin mjete monetare në mënyrë të paligjshme.

“Dogana menjëherë ka iniciuar procedurën e brendshme hetimore dhe gjatë zhvillimit të hetimeve ka ardhur në përfundim se zyrtarët doganorë në degën e Merdares kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Kështu që, Dogana ka ftuar Prokurorinë që të bashkëngjitet në hetimet penale ndaj këtyre dy oficerëve doganorë dhe pas bashkëpunimit të ngushtë dhe mbledhjes së provave, Drejtori i Përgjithshëm sot ka suspenduar dy oficerët doganorë me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti”, njofton Dogana e Kosovës.

Me urdhër të Prokurorisë, njëri prej oficerëve është dërguar në paraburgim, ndërsa tjetri është në procedurë të rregullt.

“Dogana e Kosovës dhe Prokuroria kanë iniciuar procedurë penale edhe ndaj importuesit të mallrave, i cili gjithashtu me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim. Rasti është hetuar dhe udhëhequr nga Dogana e Kosovës nën mbikëqyrjen e Prokurorisë”, thuhet në komunikatën e Doganës.