Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Suspendohen 4 Zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë gjatë zbatimit të procedurës së inspektimit, në pajtim me detyrat dhe obligimet e veta ligjore, ka dërguar raportin e inspektimit të procedurave të ndjekura me rastin e vdekjes së të burgosurit Astrit Dehari.

“Inspektorati gjatë inspektimit nuk ka gjetur asnjë veprim të institucionit, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktar i vdekjes së A.D. edhe pse janë identifikuar disa neglizhenca procedurale”, thekson Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate.

“Si pasojë e këtyre neglizhencave janë iniciuar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari korrektues, dy mbikëqyrësve si dhe ushtruesit të detyrës së Drejtorit, të cilëve po ashtu u është shqiptuar edhe masa e suspendimit si masë paraprake”, njofton Zyra për Komunikim Publik i Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas Ministrisë, vendimi për masën e suspendimit vjen pas rekomandimit nga Inspektorati.

Vendimi për suspendimin e katër zyrtarëve vjen 17 ditë pas vdekjes në qelinë e Qendrës së Paraburgimit të Prizrenit të Astrit Deharit.

Dehari u gjet i vdekur më 5 nëntor.

http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës në natën e 4 gushtit të këtij viti.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/

Pas procesit të autopsisë, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se Dehari ka vdekur nga asfiksia.

http://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/

Ndërsa, raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit i bërë publik më 18 nëntor, përcakton se ai ka bërë vetëvrasje.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/

Aktivisti 26-vjeçar i VV-së është varrosur tre ditë pas vdekjes së tij.

http://kallxo.com/varroset-astrit-dehari/