Foto-ilustrim

Suspendim për Vjedhje të Karriges Stomatologjike

Lajqi që ka qenë shef i Shërbimit të Stomatologjisë është denoncuar nga një punonjës për vjedhje të një karrigeje stomatologjike që ka qenë në deponinë e materialeve jashtë përdorimit dhe për një varg keqpërdorimesh që punonjësi ka thënë se janë bërë me ndihmën e tij.

Ushtruesja e detyrës së drejtores në QKMF Merita Brovina tha për KALLXO.com se denoncimi për vjedhjen e karriges është bërë para rreth dy muajve, ndërsa sipas deklaratave të dhëna nga denoncuesi vjedhjet dhe keqpërdorimet janë bërë para një viti.

“Rasti është denoncu prej një punëtori aty që realisht është kryer në bashkëpunim me të, por që atij mbas një viti i ka ra në mend me denonu rastin në menaxhment dhe me tregu çfarë kanë bërë,” tha Brovina.

Brovina më tutje tregoi se e kanë lajmëruar policinë dhe se i kanë marrë gjithë hapat konform rregullores disiplinore.

Sipas saj së pari e kanë konfirmuar se mos personat në fjalë kanë diçka personale mes vete, e pastaj kanë verifikuar fjalët e denoncuesit edhe për vjedhje tjera të mundshme.

“Është verifikuar dhe ajo karrige që ka qenë jashtë përdorimit nuk gjendet në depo, njëra prej tyre. Ka pasë akuza për një sterilizator, etj. Por është verifiku që sterilizatori është në depo. Procedura është shku edhe në polici, e kemi lajmëruar rastin dhe doktor Valdeti është në suspendim njëherë për njëherë deri në marrjen e masave të tjera,” tha ajo.

Vjedhjen e karriges stomatologjike e konfirmuan për KALLXO.com edhe Arben Vitia drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës së bashku me Policinë e Kosovës.

Floria Ahmeti nga Zyra për Informim e Policisë tha se rasti është në fazën fillestare.

KALLXO.com kontaktoi edhe Valdet Lajqin. Ai tha se të gjitha denoncimet që janë bërë për të janë shpifje.

“Rasti është në polici, policia është duke u marrë me rastin. Kjo është shpifje dhe kurrgjë tjetër. Policia e kryen punën e vet. Janë hetimet tash dhe ne ia lëmë policisë punën e vet, ne nuk përzihemi,” tha Lajqi pa dashur të komentojë më shumë.

Ndërkaq drejtoresha e QKMF-së tha se edhe personi që e ka denoncuar rastin i është nënshtruar komisionit disiplinor. Sipas saj komisioni ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.

“Në një farë mënyre ky ka bo shkelje të rregullave të punës, sepse ky e denoncon veten dhe shefin jo vetëm për karrigen, por për një varg të keqpërdorimeve që supozohet që i kanë bërë në bashkëveprim,” tha ajo.

Ndryshe, pajisjet që dalin jashtë përdorimit në QKMF ruhen në depo deri sa të merret vendim nga komisioni për largimin e tyre.

Valdet Lajçi që ishte shef i Shërbimit të Stomatologjisë është zëvendësuar nga Ardian Beqa në këtë pozitë.