Luftëtarë në luftën e Sirisë (foto ilustruese) | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

Supremja ia vërteton pafajësinë të akuzuarit se deshi t’i bashkohej luftës në Siri

Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht i ka dhënë vulën e pafajësisë Rinor Dizdarit që akuzohej se ka dashur t’u bashkohej formacioneve ushtarake jashtë territorit të Republikës së Kosovës që vepronin në territorin e Sirisë.

Shkalla e tretë e gjyqësisë në Kosovë e ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga Prokuroria duke vërtetuar kështu vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit që kishin hedhur poshtë aktakuzën që e ngarkonte Dizdarin.

Në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë Prokuroria pretendonte se aktakuza ndaj Dizdarit ishte hedhur nga Gjykata Themelore dhe Apelit në kundërshtim me ligjin.

“Sipas përshkrimit faktik në aktakuzë shihet në mënyrë të qartë se në veprimet e të pandehurit janë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale ‘tentativa në bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës”, thuhej në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria pretendonte se vlerësimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit se në aktakuzë nuk ishte përshkruar vendi, koha dhe përshkrimi i kryerjes së veprës penale, dhe se vetëm fakti i shkuarjes në Turqi nuk dëshmojnë kryerjen e veprës penale, janë vlerësime të gabuara.

Megjithatë, Gjykata Supreme i ka gjetur si të pabazuara vlerësimet e Prokurorisë.

“Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur të hedhet aktakuza ndaj të pandehurit Rinor Dizdari sepse edhe pse për veprën për të cilën është akuzuar tentativa është e dënueshme, megjithatë nga aktakuza dhe nga provat  e bashkangjitura nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka marrë pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Prokuroria pretendonte se Dizdari me vetëdëshirë ka dashur të shkojë në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatave të quajtura “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham”, të cilat veprojnë në Siri dhe kanë themeluar në Siri ushtritë e veta dhe se qëllimi i tij ka qenë që të takohet edhe me dy persona, të cilët në atë kohë gjendeshin në luftën e Sirisë”, thuhej në aktakuzë.

Po sipas aktakuzës, Dizdari fillimisht kishte shkuar në Shkup prej nga edhe kishte fluturuar për në Stamboll dhe nga Stambolli udhëton për në Siri që t`i bashkëngjitet organizatave ushtarake në Siri, por pas arritjes në Turqi, me kërkesë të autoriteteve Kosovare, është nxënë nga autoritetet turke dhe është kthyer për në Kosovë.

Në shtator të vitit të kaluar mbrojtësi i Dizdarit, Nasuf Hasani, kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës.

“Pasi që nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilët i mbrojturi im akuzohet dhe se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë me të cilën vërtetohet se i mbrojturi im ka qenë pjesë e luftërave të huaja, kërkojmë nga gjykata që akuzën ta hedhë poshtë si të pa bazuar në prova. Dhe se i mbrojturi im nuk ka qenë fare në Siri. Këtë e vërteton edhe deklarata e nënës së tij me të cilën ajo thotë se kur ka biseduar me Rinorin i njëjti ka qenë në Turqi”, thuhej në kundërshtimin e avokatit Hasani.

Vetë Dizdari kishte mohuar fajësinë duke pretenduar se qëllimi i tij ishte të shkonte në Siri për qëllime humanitare.