Enis Berisha, Foto: Kallxo.com

Superaplikuesi në konkurse Enis Berisha, më në fund punësohet

Enis Berisha është emëruar drejtor në Bordin e Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës “InfraKos” në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 2 prill.

Qeveria kishte aprovuar propozimin që Enver Aruqaj të emërohet si kryesues i këtij Bordi kurse Lundrim Camaj, Enis Berisha, Shkëlqim Osmanaj, Nagip Skenderi dhe Arben Dodaj të emërohen si anëtarë të Bordit të “Infrakos”.

Berisha është emëruar në këtë pozitë disa ditë pasi ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell e kishte ngritur si shqetësim mos emërimin e tij.

Në konferencën për projektin e rekrutimit të zyrtarëve në pozitat e larta, të mbajtur më 18 mars, O’Connell kishte treguar se Enis Berisha ishte njëri ndër kandidatët që kishte aplikuar shtatë herë nëpër pozita të larta por asnjëherë nuk ishte emëruar. Berisha nuk ishte emëruar as nga Kuvendi e as nga Qeveria.

“Ambasada britanike merr shumë letra ankese nga personat që kanë marrë mundin që të aplikojnë për pozita të ndryshme e që janë vlerësuar mirë nga projekti por të cilët nuk arrijnë të emërohen. Rasti konkret, që na është dhënë leja me përdor emrin e tij, Enis Berisha i cili deri më tani ka aplikuar dhe është vlerësuar mirë në shtatë procese madje në disa procese i rankuar si kandidati me më së shumti pikë por i cili kurrë nuk është emëruar, as nga Kuvendi, as nga Qeveria”, kishte deklaruar ambasadori O’Connell në konferencë.

O’Connell në konferencën për projektin e rekrutimit të zyrtarëve në pozitat e larta kishte deklaruar se e meta e vetme e Enis Berishës dhe rasteve si ai është se nuk kanë lidhje politike.

“Rasti i Enisit nuk është rasti i vetëm, e meta e tyre është se nuk kanë lidhje politike. Duhet të jetë e rëndë të jesh profesionist dhe fitues i garës dhe mos të vlerësohesh nga vet shteti yt”, kishte shtuar ambasadori O’Connell.

Berisha është magjistër i shkencave teknike në inxhinieri mekanike dhe transport, e po ashtu kandidat për doktorant në Teknologji Informative.

E nga ana tjetër ai ka treguar se ka 16 vjet përvojë pune. Berisha për 6 vite ka qenë kryeshef ekzekutiv në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.

Pozita e fundit në të cilën ka aplikuar Berisha është ajo për Bordin e KOSTT-it. Enis Berisha ka dalë si kandidati i tretë më i poentuar nga komisioni vendor, kurse është renditur i dyti nga britanikët.

Edhe pse procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KOSTT ishte zhvilluar në muajin janar, Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka përzgjedhur ata.

Lista me emrat e propozuar për anëtarë të Bordit të KOSTT është futur në rend të ditës për seancën e cila është duke u zhvilluar sot (12 prill).

Në një intervistë për Kallxo.com, Enis Berisha kishte deklaruar se nëse nuk do të përzgjidhet as si anëtarë i Bordit të KOSTT atëherë do ta mendojë largimin nga Kosova dhe një vend pune jashtë saj.

“Nëse nuk do të zgjidhem atëherë unë fatmirësisht e kam të gjithë familjen në Perëndim, në Zvicër jeton, atëherë edhe unë do të marr rrugën për në Perëndim, të jetoj në Zvicër sepse nuk jam këtu për të luftuar për një vend pune apo për një pagë por për të dhënë kontribut”, kishte deklaruar Berisha.

https://kallxo.com/misioni-i-pamundur-i-njeriut-me-superpervoje-per-te-gjetur-pune-ne-kosove/

.